Opinion/Aktualitet

PDK-ja po shpreson që duke e imponuar me urgjencë, pa seriozitet çështjen e ligjit, Kuvendi nuk do të ketë kohë për miratimin e tij para 6 tetorit

Nga Donik Sallova

Absolutisht jam i bindur në josinqeritetin e kërkesës urgjente të PDK-së për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara. E vetmja urgjencë e PDK-së është ta çojë vendin në zgjedhje, por duke synuar alibinë se kjo po ndodhë sepse “pushteti nuk po e përkrahë ndryshimin e ligjit për dhomat e specializuara”.

Kushtëzimi i PDK-së që “votojeni ligjin, që të diskutojmë për presidentin”, do të thotë përgatitje e parullës parazgjedhore dhe aspak angazhim për stabilitet politik dhe institucional që do të mundësonte ndërtimin e strategjisë për rrëzimin e aktgjykimit të gjykatës speciale. Pa dyshim angazhimi i shtetit në mbrojtjen e pastërtisë së luftës së UÇK-së kundrejt këtij aktgjykimi është çështje urgjente, por kjo kërkon seriozitet, sinqeritet dhe unitet.

Pavarësisht se a do të miratohet ndryshimi i ligjit apo jo, tani apo pas një jave, avokatët e drejtuesëve të UÇK-së tashmë kanë nisur procedurën kundër aktgjykimit në shkallën e apelit. Pra, ata janë të bindur që sot për sot rruga e vetme e sigurtë ku do të mund të përmbyset gjykimi i shkallës së parë është apeli, prandaj edhe urgjenca qëndron pikërisht tek mobilizimi i të gjitha burimeve shtetërore e kombëtare, profesionale e financiare për të rrëzuar çdo element që prek historinë, motivet dhe parimet e luftës çlirimtare të UÇK-së.

Lexo më shumë  Pas krimeve ajo e puthi Arkanin, ndërsa myslimanët i quajti “defekt gjenetik në trupin serb”: Biljana Pllavshiq ishte gruaja më e tmerrshme e ultranacionalizmit serb

PDK-ja po thotë pak a shumë kështu: na intereson fati i liderëve të UÇK-së në Hagë, por nuk na intereson fati i Kosovës. Si mund të të interesojë UÇK-ja kur nuk të intereson Kosova? Si mund t’i dalim zot UÇK-së me shtet të sabotuar prej 2 vitesh? Duam ligj që gjykatën speciale e integron më shumë brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, por nuk garantojmë funksionalizim të shtetit. Ky është qëndrimi më joparimor politik që mund të mbajë një parti politike.

Respektivisht, PDK-ja thjeshtë po shpreson që duke e imponuar me urgjencë, pa seriozitet, pa unitet dhe pa vizionaritet çështjen e ligjit, Kuvendi nuk do të ketë kohë për miratimin e tij para 6 tetorit, duke ia dhënë kësaj partie “justifikimin” për të mos e propozuar e as votuar asnjë kandidat për president dhe duke e fituar një instrument propagande në zgjedhje: PDK-ja e mbron UÇK-në, ndërsa të tjerët jo. Kjo është strategjia e PDK-së dhe e shehollëve mediatikë, shpresa e saj e vetme që pas tri palë zgjedhjesh të humbura radhazi, ta përdorë edhe një herë UÇK-në si një sentiment për ta rritur rezultatin zgjedhor. Sepse PDK-ja ka frikë se populli nuk do t’ua falë kurrë që kjo parti ishte në krye të aksionit politik për themelimin e Gjykatës Speciale.

Lexo më shumë  Për zgjedhjen e Presidentit më shumë jo sesa po, sepse të dënuarit na i shtojnë votat, prandaj duam zgjedhje - po na thotë PDK!

Rruga Press

YouTube player