KryesoreLajme

“Televizion gjobaxhi”/ Ç’fshihet pas përplasjes Top Channel- Belinda Balluku?

Në Top Channel vijon më fort se kurrë fushata e shënjestruar kundër Belinda Ballukut. Ekrani më i madh në vend, që dikur shërbente si promovues i zv kryeministres duke e shfaqur të përlotur në tunelin e Llogorasë, tani e ka shndërruar atë në target.

Të hënën në mbrëmje, në emisionin Fiks Fare, nga ku u shmang drejtuesi veteran Filip Çakulli, u pa një “investigim” i ri kundër asaj që deri dje ata e thërrisnin “Bela”.  Tema kryesore: Balluku e drejton “de facto” ministrinë nga e cila është shkarkuar.

Gazetarët e emisionit kishin futur në kurth përmes kamerës së fshehtë ish bashkëpuntorë të Ballukut, të cilët jepnin njëzëri këtë mesazh. Në Inspektoratin Shtetëror Teknik dhe Industrial drejtori Sokol Zajmi thotë pa e ditur se po regjistrohet: “Nëse je mikesha e shefes, je dhe e imja.” Më pas ai përdor edhe një tjetër shprehje: “Ushtarët zëvendësohen kollaj, po mbretëresha nuk zëvendësohet dot”.

Tek Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera drejtori Rrapush Tola, flet me bindje se Belinda Balluku ka vendosur Enea Karakaçin në krye të ministrisë dhe se një sinjal prej saj mjafton për tu marrë një vendim. Nga ana tjetër Flori Serjani, ish-këshilltari i Belinda Ballukut, tregon se vijon të mbajë këtë detyrë pranë ministrit të ri duke bërë njëkohësisht edhe PR-in e Belinda Ballukut.

Deri këtu, gjithçka mund të duket normale madje një punë gazetareske për tu lavdëruar, që tregon se si një ministre e shkarkuar vijon të drejtojë realisht një institucion megjithëse kjo gjë i është ndaluar me vendim gjykate.

Por, çështja fillon e ndërlikohet kur emisioni i së hënës shihet në sfonin e një fushate të ethshme dy tre javore që i ngjan një targetim kundër personit. Pothuajse me një vullnet të përditshëm në lajmet e Top Channel janë botuar kronika për pishiniën e shtëpisë të fshehtë të Ballukut në Palasë, për faturën e kripur të Milot Balldren, për shqetësimin e BE për mosheqjen e imunitetit të saj, madje nuk kanë munguar edhe qëndrime të forta editoriale që ngrejnë pyetjen: Pse SPAK po vonon me Ballukun?

Lexo më shumë  PPP-të marrin 1 miliard euro nga shteti, gati gjysma e kontratave të koncesioneve janë nën hetim nga SPAK-u

Aq e fortë është kjo tendencë sa në kronika i jepet një vend një politikani që shfaqet rrallë në Top Channel, Gaz Bardhit të njohur për qëndrimet e forta kundër ish rivales së tij në qarkun e Fierit. 

E njëjta vijë editoriale duket qartazi edhe në emisionin Top Story, ku ftohen opinionistë me qëndrime të spikatura kundër ish zv kryeministres, madje bëhet kujdes që me thëniet e tyre të prodhohen lajme që botohen në vend qëndror në faqen on line të televizionit.

Po kush qëndron pas kësaj fushate kundër Belës, të lindur si nga hiçi, dhe që nuk përbën një linjë koherente të Top Channel që prej momentit kur u kërkua imuniteti dhe pezullimi i saj?

Vetë e interesuara, që këto kohë ka bërë kujdes të shfaqet sa më pak në publik, kur u përball me gazetaren e Fiksit e quajti atë “gjobaxhije” dhe televizionin që ajo përfaqësonte si një ekran “gjobaxhi”. Në fakt, ajo përsëriti pothuajse të njëjtën gjë që kish bërë Edi Rama katër vite me parë, pasi Top Channel filloi një fushatë një javore kritikash duke shpallur madje se “Shqipëria po rëshkiste në autokraci”. Topi e ndaloi vrrullin shpejt duke bërë më të besueshme akuzën e kryeministrit. 

Lexo më shumë  FMN: Shqipëria po diplomon studentë që nuk i duhen kujt, rrënjët e problemit që në sistemin e arsimit parauniversitar

Edhe Balluku tani beson se sulmi po i vjen nga grupe rivale brenda PS-së. Dy burime të pavarura nga njëra tjetra, që kanë lidhje me të, konfirmuan për Lapsi.al se ata besojnë se sulmet po sponsorizohen nga klani i Ergys Agasit. Madje në media periferike pranë Ballukut janë publikuar edhe tituj, të pa shoqëruar me fakte, se Ergys Agasi i ka blerë një veturë të shtrenjtë Grida Dumës.

Por sado e dyshimtë të duket kjo pandehmë, sërisht do të ngrihej një pyetje: po nëse do të qe vërtet kështu, a nuk ka fuqi Edi Rama që kontrollon me dorë të hekurt të gjitha mediat ta ndalte këtë luftë vllavrasëse mes njerëzve të tij?

Kjo dilemë të çon tek një pyetje tjetër: Apo mos vallë fshihet vetë Rama pas sulmeve ndaj Belindës? Apo mos vallë ai ka marrë vendimin për ti larë duart me të? 

Në të shkuarën nga gryka e Topit janë qëlluar shumë bashkëpunëtorë të shefit të qeverisë: Arben Ahmetaj, Fatmir Xhafaj, Ditmir Bushati. Madje vetë Ahmetaj do të tregonte më pas se ai ka qenë dëshmitar në mënyrën se si u orkestruan nga shefi sulmet ndaj ish kolegëve. A po përsëritet e njëjta gjë? Ende është shpejt të pohohet. Por një gjë duket se është e sigurtë: fushata e Topit ndaj asaj që e etiketoi si media gjobaxhije do të vijojë. /lapsi.al/

YouTube player