Lajme

Identifikohen përmes ADN-së edhe dy të zhdukur të luftës në Kosovë

Edhe dy persona të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë janë identifikuar përmes analizave të ADN-së, ka njoftuar Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Ai ka sqaruar se këto identifikime nuk lidhen me zhvarrosjet në Kalludër e Jabukë, në komunën e Zubin Potokut, dhe as me zhvillimet e fundit apo lokacionet e tjera të adresuara gjatë këtij viti.

Bëhet fjalë për mbetje mortore të zhvarrosura më herët, të cilat tani ndodhen në morgun e Institutit për Mjekësi Ligjore.

“Raportet e ADN-së janë ndarë me Institutin për Mjekësi Ligjore, i cili, pas verifikimeve përkatëse, konfirmon zyrtarisht identifikimin. Gjatë kësaj jave, familjet do të njoftohen për rezultatet dhe hapat e mëtejshëm, në përputhje me procedurat përkatëse”, thuhet në njoftimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Ky njoftim vjen pasi fillimisht u raportua nga media se dy personat e identifikuar ishin në mesin e atyre të gjetur në Zubin Potok, ku ende po vazhdon procesi i identifikimit të mbetjeve mortore të gjetura gjatë verës në tri varreza masive në fshatrat Kalludër e Vogël dhe Jabukë.

Lexo më shumë  Përkeqësohet punësimi për të rinjtë në Shqipëri, u regjistruan të papunë 4.3% më shumë në një vit

Pas konfirmimit të tri viktimave të para, Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Salih Mëziut, autoritetet janë duke punuar për identifikimin e 20 viktimave të tjera të gjetura atje.

Mostrat e këtyre mbetjeve mortore janë dërguar për analiza të ADN-së në Hagë të Holandës, te Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.

Varrezat në Kalludër të Vogël dhe Jabukë u konfirmuan pas një procesi hetimor disamujor të institucioneve të Kosovës, që po vazhdojnë kërkimet për personat e zhdukur edhe në territorin e Serbisë.

Aktualisht, institucionet kosovare janë kthyer për kërkime në fshatin Kozhle, në zonën e Novi Pazarit, ku dyshohet për mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Institucionet e Kosovës po kërkojnë nga Serbia edhe qasje në lokacione të tjera dhe të dhëna nga arkivat për personat e zhdukur.

Lexo më shumë  983 aksidente rrugore në 8-mujorin 2026 në Shqipëri, rritje prej 6,2%

Sipas Garës, në territorin e Serbisë janë konfirmuar deri tani pesë varreza masive, Batajnica, Petrovo Sello, Peruçaci, Rudnica dhe Kizhevaku, ku janë gjetur më shumë se 950 viktima të luftës në Kosovë.

Ai ka thënë se, nëse këto pesë lokacione janë pjesë e një liste prej 16 varrezash masive të bërë publike në vitin 2001, atëherë mund të ketë edhe të paktën 11 lokacione të tjera në territorin e Serbisë.

Në Kosovë, ndërkohë, kërkimet për personat e zhdukur vazhdojnë në disa lokacione. Sipas Garës, janë zhvilluar ose planifikuar gërmime edhe në Skenderaj, në veri të Mitrovicës, si dhe në rajonet e Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës.

Rruga Press

YouTube player