Kongresmeni amerikan thirrje EPP-së në Evropë: Përjashtojeni partinë e Vuçiqit para zgjedhjeve në Serbi
Kongresmeni republikan Joe Wilson i ka dërguar një letër presidentit të Partisë Popullore Evropiane (PPE), Manfred Weber, në të cilën i bën thirrje atij që EPP të revokojë anëtarësimin e Partisë Progresive Serbe të Serbisë.
Wilson deklaron se është “me rëndësi thelbësore” që një vendim i tillë të merret para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, në mënyrë që “SNS të mos mund ta përdorë reputacionin e PPE-së për legjitimimin e vet”.
“Kam respekt të madh për PPE-në dhe atë që ju përfaqësoni në Evropë. SNS nuk ju respekton. Si parti në pushtet në Serbi nën udhëheqjen e Vuçiçit, ajo vazhdimisht abuzoi me burimet shtetërore dhe shërbimet e sigurisë për të manipuluar zgjedhjet. Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) vlerësoi se zgjedhjet parlamentare të vitit 2023 u mbajtën në kushte të padrejta. Vëzhguesit e OSBE-së deklaruan se partia në pushtet e zbehu vijën ndarëse midis aktiviteteve shtetërore dhe fushatave zgjedhore dhe se burimet publike u përdorën për qëllime politike. Asnjë nga rekomandimet e tyre nuk u zbatua”, thuhej në letrën e kongresmenit nga Karolina e Jugut, i cili është bashkëkryetar i grupit parlamentar të kongresit për BE-në dhe Komisionin për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (Komisioni i Helsinkit i SHBA-së).
Partia Popullore Evropiane është grupimi më i madh dhe më me ndikim i partive të qendrës së djathtë në BE , i cili mbledh parti të këtij profili nga më shumë se 40 vende. Që nga viti 2016, SNS është pranuar në statusin e anëtarit të asociuar.
Rruga Press

