SPAK godet “bërthamën e shtetit”, dosja e Ergys Agasit shtrihet nga AKSHI te SHISH dhe Policia
Hetimi për aferën e AKSHI-t dhe grupin e dyshuar kriminal të drejtuar nga Ergys Agasi ka depërtuar në disa prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit. Aksioni i SPAK këtë të martë ka prekur drejtues dhe ish-drejtues të SHISH-it dhe Policisë së Shtetit, ndërsa kontrollet dhe masat e sigurisë janë shtrirë paralelisht edhe në Durrës.
GJKKO ka caktuar masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra për drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, e dyshuar për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Nxjerrje të sekretit”. Masa nuk është ekzekutuar, pasi Hyseni ndodhet në Baku të Azerbajxhanit, ndërsa detaje të tjera pritet të dalin në vijim.
Në të njëjtën kohë, hetuesit kanë ushtruar kontrolle edhe në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Si Hyseni ashtu edhe Proda janë përfolur më herët publikisht për lidhje me Ergys Agasin, personazhi që qëndron në qendër të hetimit të SPAK për atë që dyshohet se ishte një grup kriminal që ushtronte ndikim brenda AKSHI-t.
Operacioni ka çuar gjithashtu në arrestimin e Fatjon Kallucit, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë, si dhe të Embro Sulejmanit, pronar i një lokali në zonën e bllokut qeveritar. Sulejmani dyshohet se kishte fshirë pamjet e kamerave të sigurisë pas arrestimit të Agasit, duke e kthyer këtë episod në një tjetër hallkë të hetimit.
Aksioni është shtrirë edhe në Shkozet të Durrësit, ku janë kontrolluar ambiente të lidhura me klanin Troplini. Kontrollet janë zhvilluar në bazat e Xhevdet Troplinit, i njohur si “Poja”, si dhe në banesën e nipit të tij, Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, i shpallur në kërkim nga SPAK për grup të strukturuar kriminal.
Në qendër të gjithë dosjes qëndron Ergys Agasi, i arrestuar pak javë më parë në Durrës pas tetë muajsh në arrati, së bashku me Uljan Shpatarakun, ish-zyrtar policie. Ndërkohë, në Francë është arrestuar Ermal Beqiri, një tjetër personazh i dosjes, ndërsa pilotonte një avion civil mbi një central bërthamor.
Nën masën e “detyrimit për paraqitje” ndodhen edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe ish-zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi.
Por ajo që nisi si një hetim për tenderët e AKSHI-t tashmë ka marrë një dimension shumë më të gjerë. Dosja prek hallka që shkojnë nga institucioni përgjegjës për sistemet dixhitale të administratës, te Policia e Shtetit dhe deri te institucioni që administron informacionin më të ndjeshëm dhe sekretet e vendit.
Pikërisht këtu qëndron edhe pesha e zhvillimeve të fundit. Nëse dyshimet e ngritura nga SPAK provohen në gjykatë, çështja nuk do të jetë më vetëm se çfarë bënte Ergys Agasi, por se si një person pa funksion publik mund të kishte krijuar një rrjet ndikimi që, sipas hetimit, prekte nivele kaq të larta të shtetit.
Agasi është cilësuar nga kundërshtarë të qeverisë si “eminenca gri” e kryeministrit Edi Rama, një përshkrim dhe pretendim politik që Rama nuk e ka pranuar. Megjithatë, përmasat që po merr hetimi ngrenë një çështje që shkon përtej përgjegjësisë penale individuale, atë të përgjegjësisë institucionale dhe politike.
Nëse drejtues apo zyrtarë të institucioneve që duhet të garantonin sigurinë, informacionin dhe zbatimin e ligjit rezultojnë të përfshirë në një mekanizëm të tillë, atëherë pyetjet janë të pashmangshme. Si mundi të ndërtohej ky rrjet? Kush duhej ta kontrollonte? Kush e lejoi të funksiononte dhe për sa kohë?
Përgjegjësitë penale do t’i përcaktojnë hetimi dhe gjykata. Por zhvillimet e fundit kanë nxjerrë tashmë në sipërfaqe një problem më të madh se një tender apo një institucion i vetëm. Ajo që duhet vërtetuar është, ishte Ergys Agasi kaq i pushtetshëm apo dikush tjetër ia jepte këtë pushtet?
Rruga Press

