Lajme

Erdogani zotohet ta mbështesë Kosovën në industrinë e mbrojtjes

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan gjatë takimit të zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti në Shtëpinë Turke në New York, ka deklaruar se të dyja vendet do të vazhdojnë ta zhvillojnë edhe më tej bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe industrisë së mbrojtjes. 

Erdogan, i cili po qëndron në New York për sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka diskutuar me Kurtin edhe për ndërmarrjen e hapave për rritjen e vëllimit tregtar.

“Gjatë takimit, Presidenti Erdoğan deklaroi se të dyja vendet do të vazhdojnë të ndërmarrin hapa për rritjen e vëllimit tregtar në një mënyrë që i përshtatet potencialit të tyre, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe industrisë së mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra për komunikim e Presidencës së Turqisë. 

Lexo më shumë  Kurti merr pjesë në meshë në Kishën “Zoja e Shkodrës” në New York, e kremtuar nga Kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani

Presidenti turk ka rikonfirmuar gjithashtu mbështetjen e Turqisë për Kosovën në përpjekjet e saj për të arritur vendin që i takon në komunitetin ndërkombëtar. 

Ai ka thënë se Turqia mbështet edhe dialogun ndërmjet vendeve të Ballkanit.

Gjatë takimit, Erdogani e ka ftuar kryeministrin Kurti të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të COP31, i cili do të mbahet në Turqi.

Kryeministri Kurti për këtë takim ka njoftuar se është diskutuar edhe për aktvendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tutje Kurti ka thënë se gjatë këtij takimi ka shprehur edhe mirënjohje për rolin e Turqisë në KFOR dhe kontributin në sigurinë e ofruar në Kosovë dhe gjithashtu bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe investimeve, duke iu referuar fabrikës së municionit në Gjakovë dhe Parkun e Energjisë së Erës në Rahovec.

Lexo më shumë  Kurti: Në ShBA u diskutuan mundësitë e investimeve nga Amerika në Kosovë

Kosova është pajisur disa herë me sisteme të avancuara të raketave nga Turqia. Para disa muajsh është pranuar dërgesa e sistemeve antitank OMTAS, që sipas Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është armë me sistem kundër tankeve moderne dhe fortifikatave mbrojtëse ushtarake. 

Nga Turqia, Kosova është pajisur më herët edhe me dronë “Bayraktar”, të cilët e mbajnë indeksin 12 të indikatorit të kapacitetit.

Rruga Press

YouTube player