KryesoreOpinion/Aktualitet

13 vendet në Shqipëri, ku çmimet të bëjnë të djersish, zemra të rreh shpejt dhe xhepi te rrezikoht: Çmimet nga supermarketi te karburanti te mjeku

Nga Lutfi Dervishi

Kujdes shëndetin! 13 vende me rrezik të lartë

Ka vende ku rreziku nuk vjen nga lartësia, shpejtësia apo terreni i vështirë, por nga çmimi.

Janë vende krejt të zakonshme por kohët e fundit aty mund të kesh rrahje të shpejta zemre, marrje mendsh, djersë të ftohta, turbullim shikimi dhe, në raste të rënda, edhe humbje të besimit tek Besa dhe Pasqyrë Albania!

Për sigurinë tuaj, me poshtë është renditja sipas shkallës së rrezikut.

13. Parkingu në Tiranë

Goditja e parë është e lehtë sepse balancohet me faktin që ke arritur të gjesh vend.

12. Dentisti

Rreziku shtohet kur, pas frazës “është një ndërhyrje e vogël”, vjen momenti që të thotë çmimin.

11. Aeroporti

Simptomat shfaqen zakonisht pasi porosit një kafe dhe larg qoftë kafen e shoqëron me një shishe ujë.

Lexo më shumë  Gjenerallejtënant Jashari në Kroaci, kërkon që Kosova të pranohet me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut

10. Banka

Veçanërisht kur pyet sa do të paguash gjithsej për kredinë që sapo të thanë se e ke marrë me “mik” apo me “kushte shumë të favorshme”

9. Farmacia

Nëse hyn për të ulur tensionin, kujdes se çmimi i ilaçeve mund të ta ngrejë përsëri.

8. Fatura e ujit

Sidomos kur kujtohesh se ujin e ke pasur vetëm disa orë në ditë dhe ujin e pijshëm e ble sa frëngu pulën.

7. Fatura e energjisë

Një test i rregullt mujor për sistemin nervor dhe atë kardiovaskular.

6. Agjencia imobiliare

Këtu këshillohet të ulesh dhe të marrësh frymë thellë përpara se të pyesësh: sa është metri katror?

5. Pika e marrjes së pensionit

Rreziku nuk vjen nga shuma që merr sepse ajo të del edhe në ëndërr, rreziku vjen nga mendimi se me atë shumë duhet të jetosh një muaj.

Lexo më shumë  Bllokimi i llogarive të protestës në Shqipëri/ BE nis hetimet: Është censurë

4. Spitali

Këtu kujdes i veçantë sidomos gjatë kontaktit të parë me rojen/sanitaren/infermierin.

3. Supermarketi

Këtu është vendi ku një qese me ushqime mund të prodhojë më shumë adrenalinë se një film aksion.

2. Exchange

Mos bëni lëvizje të menjëhershme: në fillim shiko tabelën ngadalë, sidomos nëse të ardhurat i ke në euro dhe shpenzimet në lekë. Mos pyet më sa ka vajtur euro, pyet: si e kemi lekun sot?

1. Pika e karburantit

Kujdes! Zonë me rrezikshmërinë më të lartë. Fikni motorin, merrni frymë thellë dhe mos e shikoni pompën gjatë furnizimit. Rekomandohet që të harrosh frazën “mbushe plot” dhe në vend të saj thuaj: “Hidhi 10 mijë lekë”!

Rruga Press

YouTube player