Bota

Kërcënimi rus në Baltik/ Presidenti Stubb u kërkon finlandezëve të përgatiten për dronët dhe luftën hibride: Moska po godet Evropën

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, u ka bërë thirrje qytetarëve të tij të jenë të përgatitur për përshkallëzimin e operacioneve hibride dhe ndërhyrjet e mundshme të dronëve rusë. Gjatë një interviste për rrjetin televiziv privat MTV, kreu i shtetit finlandez zbuloi se të paktën katër dronë kanë rënë brenda territorit të Finlandës përgjatë këtij viti.

Pavarësisht paralajmërimit, Stubb u kërkoi finlandezëve qetësi dhe përmbajtje, duke siguruar se Helsinki ka ndërmarrë hapa të shpejtë për të forcuar mbrojtjen kombëtare. Megjithatë, ai theksoi se Moska po zhvillon një fushatë armiqësore me dy dimensione kundër kontinentit:

Lexo më shumë  Kryeministri i Polonisë: Java tjetër do jetë moment kritik, Rusia do sulmojë NATO-n

“Lloji i parë është lufta kinetike, të cilën po e shohim aktualisht midis Ukrainës dhe Rusisë. Lloji i dytë është lufta hibride, të cilën Rusia po e zhvillon kundër Evropës.”

Në kuadër të përgjigjes ndaj kërcënimit të sabotimeve ruse, forcat finlandeze zhvilluan manovra ushtarake në Gjirin e Finlandës, ku u ushtruan për hipjen në anije të dyshimta dhe marrjen e kontrollit të tyre. Zyrtarët theksuan se këto stërvitje tregojnë seriozitetin me të cilin Helsinki po i trajton incidentet e përsëritura në Detin Baltik, ku janë regjistruar këputje kabllosh dhe dëmtime të tubacioneve nënujore.

Komandanti i Rojës Bregdetare, Ilja Iljin, u shpreh për agjencinë e lajmeve Reuters:

Lexo më shumë  ShBA-ja dhe Danimarka arrijnë marrëveshje për Grenlandën pas kërcënimeve për aneksim

“Në dy ose tre vitet e fundit kemi pasur disa incidente në Baltik që lidhen me dëmtimin e infrastrukturës kritike nënujore. Prandaj, duhet të jemi të përgatitur kur të ndodhë ngjarja e radhës.”

Pavarësisht rritjes së tensioneve hibride, Presidenti Stubb pati deklaruar më herët gjatë muajit gusht se, sipas të dhënave të inteligjencës dhe forcës parandaluese bërthamore të NATO-s, nuk ka gjasë që Rusia dhe aleanca të hyjnë në një konflikt të hapur konvencional.

Rruga Press

YouTube player