VV-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Përparim Ramës
Asamblistë të Komunës së Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje kanë dorëzuar kallëzim penal në zyrën e kryeprokurorit të shtetit, Zejnullah Gashi, ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Kallëzimi lidhet me, siç pretendojnë asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, një varg shkeljesh të evidentuara në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës 2023-2025.
Asamblisti i Vetëvendosjes, Feim Osmani, ka treguar se nga 26 shkelje të gjetura në këtë raport, 6 nga to i kanë përfshirë në kallëzimin penal, për të cilat besojnë se është konsumuar edhe vepër penale.
“Është çështja e gabimit më shumë se 7 për qind për sheshin “Xhorxh Bush” në vlerë financiare mbi 1 milion euro. Është dhënia e hapësirave publike për UNDP pa aprovimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, pagesa për disa punë të papërfunduara”, ka thënë ai.
E asamblistja e kësaj partie, Jeta Dida-Bujari, ka thënë se hapja e procedurës ligjore ishte e vetmja zgjidhje, pasi, siç u shpreh ajo, nuk iu dha asnjë mundësi për debat në Kuvendin Komunal për këtë çështje.
“Kemi shfrytëzuar çdo rrugë institucionale në sallën e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Që nga ditët e para kemi kërkuar përballje të hapur për këto gjetje. Kemi kërkuar debat se si po administrohet paraja publike, por përgjigja e kryetarit ka qenë heshtja e tij”, ka thënë ajo.
Rruga Press

