Basha: Wizz Air hap bazën e dytë në Prishtinë, shtohen pesë linja të reja drejt Evropës
Kompania ajrore ka hapur sot bazën e dytë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, më pak se dy muaj pas hapjes së bazës së parë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, i cili tha se krahas zgjerimit të operimit, nga Prishtina do të shtohen edhe pesë linja të reja drejt qyteteve evropiane.
Sipas Bashës, linjat e reja do të jenë drejt:
Frankfurtit
Berlinit
Hamburgut
Malmö-s
Triestes
Ministri tha se këto linja krijojnë mundësi të reja udhëtimi për qytetarët dhe kontribuojnë në zhvillimin e turizmit, biznesit dhe ekonomisë.
“Zgjerimi i Wizz Air me këto ritme tek ne është sinjal i besimit të investitorëve të huaj në vendin tonë, në potencialin e tregut që ofrojmë”, tha Basha.
Ai shtoi se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet dhe akterët relevantë për rritjen e lidhjeve ajrore të Kosovës me Evropën dhe krijimin e kushteve më të volitshme të udhëtimit për qytetarët.
Rruga Press

