Mërgata nesër proteston në Tiranë! “Rama ka frikë nga diaspora”, qytetari nga Londra denoncon: Bllokuan makinat me logo me flamur në Mal të Zi me urdhër nga Shqipëria!
Aktivisti shqiptar që jeton në Londër, Artan Daçi, ka denoncuar një situatë të krijuar gjatë udhëtimit të tij drejt Shqipërisë, ku synon t’i bashkohet protestës së diasporës në Tiranë.
Në një prononcim për News24, Daçi tha se disa automjete të autokolonës me të cilën po udhëton drejt Shqipërisë janë ndaluar në pikën kufitare të Malit të Zi. Sipas tij, pjesëtarëve të autokolonës u është thënë se ndalimi ka ardhur me urdhër të autoriteteve shqiptare.
“Udhëtimi mirë, edhe pse kemi pasur kohën e keqe. Disa prej pjesëtarëve të autokolonës janë duke pritur që të hyjnë në Mal të Zi, edhe pse nuk po lejohen, sepse kanë marrë urdhër nga autoritetet shqiptare. Janë katër makina që janë atje”, tha Daçi. Ai tregoi se autokolona është identifikuar përmes logove të vendosura në automjete dhe se gjatë rrugëtimit ka marrë mbështetje nga shqiptarë në vende të ndryshme.
“Ne jemi të identifikuar, pasi i kemi vendosur me logo makinat. Në çdo qytet që kemi ndalur, jemi bashkuar me njerëz, me shqiptarë që na ndalojnë dhe fotografohen. Ata shprehen se do të donin shumë që të ishin në protestë”, u shpreh aktivisti. Daçi tha gjithashtu se gjatë rrugës autokolonës i janë bashkuar edhe motoristë, ndërsa përshkroi emocionet e shqiptarëve që kanë takuar.
“Po na bashkohen dhe autokolona me motora. Disa prej tyre na falënderojnë, iu dridhen zërat nga emocionet”, tha ai. Nëse ndalimi do të vijojë, Daçi deklaroi se do të kërkojnë ndërhyrjen e ambasadave përkatëse.
“Nëse ne nuk kalojmë dot sot, do ta gjejmë një mënyrë me ambasadat përkatëse. Kjo do të thotë se shteti shqiptar na ka shumë frikë”, deklaroi Artan Daçi. Aktivistët nga diaspora pritet t’i bashkohen protestës së nesërme në Tiranë, ku është paralajmëruar zhvillimi i një tubimi kombëtar.
Rruga Press

