Ministri i Jashtëm i Bosnjës u shkruan shteteve të OKB-së të sanksionojnë Serbinë për nderimet shtetërore për Mlladiqin
Ministri i Jashtëm i Bosnjës dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, u është drejtuar të gjitha shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar reagim ndërkombëtar ndaj asaj që e ka cilësuar si “zhvillime thellësisht shqetësuese në Serbi” pas varrimit të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq.
Në letrën e tij, Konakoviq ka vënë në fokus mënyrën se si eshtrat e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska u kthyen në Serbi, si dhe ceremoninë e varrimit të tij në Beograd, duke argumentuar se rasti përbën më shumë sesa një ceremoni private dhe se përfshirja e institucioneve shtetërore serbe i jep atij dimension institucional.
Sipas ministrit boshnjak, eshtrat e Mlladiqit, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, u transportuan në Serbi me një avion të qeverisë serbe.
Arkivoli, sipas tij, ishte mbuluar me flamurin shtetëror serb dhe u bart nga pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë.
Në Beograd u mbajt gjithashtu një ceremoni përkujtimore në Shtëpinë e Ushtrisë Serbe, ndërsa varrimi u shoqërua me nderime ushtarake dhe përshëndetje ceremoniale me armë.
Konakoviq: Institucionet serbe morën pjesë në glorifikim
Konakoviq ka theksuar praninë e një numri zyrtarësh të lartë serbë në ceremonitë e lidhura me varrimin e Mlladiqit.
Në mesin e tyre, ai ka përmendur ministrin e Mbrojtjes, Bratislav Gashiq, ministrin e Drejtësisë, Nenad Vujiq, ministrin e Kulturës, Nikola Selakoviq, si dhe ministrin pa portofol, Nenad Popoviq.
Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të lartë të Republikës Srpska, përfshirë presidentin dhe kryeministrin e saj, si dhe anëtari serb i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ishte i pranishëm në funeral. Megjithatë, Konakoviq ka theksuar se ai publikisht i ka mbrojtur veprimet e institucioneve shtetërore serbe lidhur me kthimin dhe varrimin e Mlladiqit dhe ka hedhur poshtë kritikat ndërkombëtare.
Ministri boshnjak ka ngritur edhe një pyetje për komunitetin ndërkombëtar: a do të pranohej një trajtim i ngjashëm nga një shtet evropian ndaj figurave të larta naziste si Hermann Göring apo Wilhelm Keitel, të dënuar në gjyqet e Nurembergut?
Konakoviq ka kujtuar se Mlladiqi është dënuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), i krijuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ndërsa vendimi ndaj tij është mbështetur më pas edhe nga Mekanizmi Ndërkombëtar i Mbetur për Tribunalet Penale.
Sipas tij, nuk mund të ketë standarde të dyfishta për personat e dënuar për krime ndërkombëtare.
“Kurrë më” nuk mund të jetë parim selektiv
Konakoviq i është referuar edhe rolit të Serbisë gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke përmendur vendime dhe rezoluta të institucioneve ndërkombëtare.
Ai ka rikujtuar Rezolutën A/RES/47/121 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, si dhe vendimin e vitit 2007 të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila konstatoi se Serbia kishte shkelur detyrimin e saj për të parandaluar gjenocidin në Srebrenicë dhe për të bashkëpunuar plotësisht me ICTY-në për arrestimin dhe transferimin e Ratko Mlladiqit.
Për Konakoviqin, pikërisht këtu qëndron një prej kontradiktave kryesore të situatës aktuale: Serbia, ndaj së cilës Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte konstatuar shkelje të detyrimeve të saj lidhur me gjenocidin në Srebrenicë dhe bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës, tani është kritikuar për përdorimin e institucioneve shtetërore dhe ushtarake në ceremonitë e nderimit të një personi të dënuar për gjenocid.
Ministri boshnjak ka përmendur gjithashtu Rezolutën A/RES/78/282 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të miratuar më 23 maj 2024, me të cilën u vendos Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.
Sipas Konakoviqit, kjo rezolutë dënon përpjekjet për glorifikimin e individëve të dënuar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë personat përgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës.
Kërkon sanksione ndaj atyre që glorifikojnë kriminelët e luftës
Konakoviq u ka propozuar shteteve anëtare të OKB-së disa hapa konkretë.
Ai kërkoi së pari një dënim publik të glorifikimit zyrtar dhe institucional të Ratko Mlladiqit, veçanërisht kur për këtë përdoren burime shtetërore, struktura ushtarake dhe nderime zyrtare.
Në mënyrë të veçantë, ai përmendi edhe shfaqjen e një imazhi të Mlladiqit me mesazhin “Drejt Potoçarit”, të cilin e ka cilësuar si nxitje për dhunë gjenocidale dhe paralajmërim për rrezikun e përsëritjes së saj.
Së dyti, Konakoviq ka kërkuar sanksione të synuara dhe masa të tjera kufizuese ndaj zyrtarëve dhe individëve që organizojnë, mbështesin, promovojnë ose lehtësojnë glorifikimin institucional të personave të dënuar për gjenocid dhe krime të tjera të rënda ndërkombëtare.
Së treti, ai ka kërkuar riafirmimin e autoritetit dhe gjetjeve të ICTY-së, Mekanizmit Ndërkombëtar të Mbetur për Tribunalet Penale dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me gjenocidin e Srebrenicës, duke kundërshtuar çdo përpjekje për mohimin, relativizimin apo riinterpretimin politik të këtyre vendimeve.
Konakoviq ka bërë të qartë se kritikat e tij nuk i drejtohen popullit serb në tërësi.
Sipas tij, përgjegjësia penale ndërkombëtare është individuale, ndërsa shqetësimi lidhet me autoritetet politike dhe institucionet publike që glorifikojnë një person të dënuar për gjenocid, poshtërojnë viktimat dhe rrezikojnë proceset e pajtimit dhe stabilitetin në rajon.
Në përfundim, ministri i Jashtëm boshnjak ka paralajmëruar se glorifikimi i autorëve të gjenocidit nuk mund të mbetet pa pasoja.
“Një person i dënuar për gjenocid nga një gjykatë e OKB-së nuk mund të shndërrohet në një hero të sponsorizuar nga shteti pa një përgjigje”, ka deklaruar Konakoviq.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se heshtja përballë rasteve të tilla nuk përbën neutralitet, por rrezikon që glorifikimi i kriminelëve të luftës të normalizohet në shoqëri dhe institucione.
Rruga Press

