Bota

Profesori serb pas varrimit të Mlladiçit: Popull gjenocidal, përqafuam gjenocidin ndaj boshnjakëve

Profesori serb, Ivan Videnoviç ka kritikuar mënyrën sesi kasapi i Bosnjës, krimineli i luftës Ratko Mlladiç është varrosur me nderime shtetërore në Serbi.

Në një reagim në Facebook, Videnoviç tha se glorifikimi i ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, i dënuar për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera në Bosnjë e Hercegovinë dëmton rëndë përpjekjet shumëvjeçare për pajtim në rajon.

“Dekada pune për mirëkuptim të ndërsjellë, besim dhe pajtim janë shkelur brenda pak ditësh. Serbëve nuk mund t’u besohet më për asgjë”, ka shkruar ai, transmeton KosovaPress.

Videnoviç i ka quajtur Serbinë dhe Republikën Srpska, “anti-shoqëri”, duke kritikuar gjendjen morale, politike dhe shoqërore në to.

“Bëhet fjalë për shoqëri tërësisht të rrënuara moralisht dhe të kolapsuara në aspektin e vlerave, të reduktuara në një fis të egër që brohoret për vrasësit dhe kriminelët e vet”, ka shkruar Videnoviç.

Lexo më shumë  Hungaria dëbon 10 diplomatë rusë

Ai ka thënë se varrimi i Mlladiçit dhe ngjarjet që i paraprinë atij duhet të shihen si një zhvillim me pasoja për të gjithë rajonin.

“Ditët që i paraprinë, si dhe vetë varrimi i Ratko Mlladiçit, përbëjnë një ngjarje kolosale rajonale”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, qëllimi ishte që serbët të paraqiteshin para Perëndimit si “të egër, të padenjë për qytetërimin perëndimor”, ndërsa ka shtuar se rol në këtë aksion kanë pasur edhe klube futbolli, grupe tifozësh dhe Kisha Ortodokse Serbe. Ndërkohë që ka akuzuar edhe Rusinë.

Ai ka drejtuar kritika të forta edhe ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, duke thënë se zhvillimet kanë ndodhur me miratimin e tij.

“Serbia sot ka gërmuar një fund të ri në llumin moral nëpër të cilin endet nën Aleksandar Vuçiçin”, ka shkruar Videnoviç.

Sipas tij, përmes mënyrës se si është trajtuar Mlladiçi, Serbia ka marrë mbi vete edhe trashëgiminë e tij.

Lexo më shumë  Bloomberg: Hija e Putinit përhapet në të gjithë Evropën pas fitores së ekstremit të djathtë në Gjermani

Videnoviç ka kritikuar edhe sloganin “Ne nuk jemi popull gjenocidal”.

“Tani jemi. Sepse në mënyrë plebishitare e kemi përqafuar gjenocidin ndaj boshnjakëve”, ka shkruar ai.

Ai ka kritikuar gjithashtu mungesën e protestave të mëdha qytetare në Serbi kundër nderimeve të bëra për Mlladiçin.

Sipas Videnoviçit, një përgjigje demokratike do të ishin demonstratat kundër asaj që ai e konsideron përpjekje të regjimit për t’ia bartur të gjithë popullit serb përgjegjësinë për krimet e Ushtrisë së Republikës Srpska.

“Ne, rreth pesëdhjetë veta që flasim diçka në skenën publike, skuqemi nga turpi dhe kërkojmë falje për mëkatet e bashkëkombësve tanë. Ne jemi mundur. Ne nuk mund ta nxjerrim Serbinë nga ky vorbull turpi. Na falni”, ka përfunduar Videnoviç.

Rruga Press

YouTube player