Bota

Shefi i inteligjencës suedeze ngre alarmin: Rrezik i lartë nga lufta hibride ruse

Shefi i Shërbimit Suedez të Inteligjencës Ushtarake dhe Sigurisë (MUST), Thomas Nilsson, ka paralajmëruar për një nivel të lartë kërcënimi nga lufta hibride e Rusisë ndaj vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë Suedinë.

Në një deklaratë për transmetuesin publik suedez SVT, Nilsson tha se Moska po zhvillon një fushatë të sofistikuar destabilizimi, me synim krijimin e pasigurisë, përçarjen e aleatëve të NATO-s dhe dobësimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën. Sipas tij, Rusia synon që vendet perëndimore të humbasin besimin dhe unitetin në përballjen me luftën në Ukrainë.

Paralajmërimi suedez vjen në një kohë kur autoritetet evropiane janë të shqetësuara për shtimin e rasteve të dyshuara të sabotazhit dhe operacioneve të fshehta ruse në vendet e NATO-s. Një prej incidenteve më të fundit lidhet me zbulimin e një droni të pajisur me eksplozivë në aeroportin Leipzig/Halle të Gjermanisë në muajin gusht. Autoritetet gjermane e kanë lidhur incidentin me operativë rusë.

Lexo më shumë  Ministri irlandez: Varrimi shtetëror për Mlladiqin dhe pjesëmarrja e pushtetit në të, të papranueshme për BE-në

Duke iu referuar ngjarjes, Nilsson tha se fakti që droni ishte i armatosur me eksplozivë tregon se qëllimi mund të ketë qenë shpërthimi i tij. Sipas shefit të MUST, raste të tilla tregojnë një kalim drejt një niveli më të rrezikshëm të agresionit dhe kërkojnë përgatitje të shtuar nga autoritetet evropiane.

Pas incidentit në Gjermani, Këshilli Kombëtar i Sigurisë së Suedisë u mblodh të mërkurën për të diskutuar zhvillimet dhe rrezikun që paraqesin këto forma të luftës hibride. Suedia, edhe pse aktualisht nuk konsiderohet një prej objektivave kryesore të operacioneve ruse, ka nisur të forcojë masat e sigurisë për aktivitetet që lidhen me mbështetjen ndaj Ukrainës.

Lexo më shumë  Sulmi ndaj aeroportit të Leipzigut: Gjermania identifikon dy persona të lidhur me Rusinë

Nilsson tha se Gjermania, Polonia dhe vendet baltike mbeten aktualisht ndër objektivat kryesore të operacioneve hibride ruse, por paralajmëroi se situata mund të ndryshojë shpejt nëse Moska vendos të zhvendosë fokusin e saj strategjik drejt vendeve të tjera të NATO-s.

Rruga Press

YouTube player