Lajme

Kryesia e LDK-së mbështet nominimin e Sejdiut – A do ta respektojnë deputetët e saj këtë vendim?

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbështetur nominimin e profesorit Bekim Sejdiu për President të Republikës së Kosovës.

Në një deklaratë të publikuar pas mbledhjes, LDK-ja ka bërë të ditur se vendimi është marrë në përputhje me autorizimet e dhëna nga Kuvendi i partisë dhe me procedurat e saj statutare.

Sipas LDK-së, marrëveshja politike e miratuar sot edhe në Kryesi synon përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit dhe shmangien e një krize të re institucionale.

“Ky vendim përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe institucional të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Lexo më shumë  Vau i Dejës/ Banorët në protestë pas vdekjes së dy qytetarëve: Kërkojnë shërbime më të mira shëndetësore

Në njoftim thuhet se Sejdiu është vlerësuar si kandidat që i përmbush kriteret për ushtrimin e detyrës së presidentit dhe se përvoja e tij në fushën kushtetuese dhe në diplomaci përbën bazë për një ushtrim të pavarur, të paanshëm dhe dinjitoz të detyrës së presidentit.

“Kryesia vlerëson se kandidatura e tij i shërben nevojës së vendit për një President që qëndron mbi ndarjet partiake, respekton me përpikëri Kushtetutën dhe përfaqëson Republikën me seriozitet brenda dhe jashtë vendit; me theks të veçantë në orientimin tonë euroatlantik. Kryesia u bën thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së që, gjatë procesit të votimit, të veprojnë në përputhje me autorizimet e Kuvendit të partisë, vendimin e Kryesisë dhe përgjegjësinë që mbajnë si përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me maturi, unitet dhe përgjegjësi, duke vendosur mbi të gjitha interesin e Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Lexo më shumë  Peci për protestën e komunave: Nuk e kanë hallin e qytetarit, por pazaret politike

Menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë ka filluar të mblidhet Grupi Parlamentar i kësaj partie.

Rruga Press

YouTube player