Zëvendëssekretari amerikan i Mbrojtjes: Evropa mbetet me interes jetik për SHBA-në
Evropa mbetet një interes jetik për Shtetet e Bashkuara, pavarësisht zhvendosjes së prioriteteve strategjike të Uashingtonit drejt Hemisferës Perëndimore dhe rajonit të Indo-Paqësorit, ka deklaruar zëvendëssekretari amerikan i Mbrojtjes, Elbridge Colby, gjatë një vizite në selinë e NATO-s në Bruksel.
Megjithatë, Colby ka theksuar se Uashingtoni pret që aleatët evropianë të marrin përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e tyre konvencionale dhe të kenë një rol më të madh edhe në mbështetjen e Ukrainës.
“Evropa mbetet një interes kritik për Shtetet e Bashkuara, edhe pse ne u japim përparësi Hemisferës Perëndimore dhe zinxhirit të Ishujve të Parë”, ka thënë Colby.
Sipas tij, SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj NATO-s dhe aleancës së saj me Evropën, ndërsa Uashingtoni dhe partnerët evropianë tashmë po zhvillojnë “një bisedë të drejtpërdrejtë dhe praktike” për mënyrën se si do të ndahen përgjegjësitë në të ardhmen.
Colby ka vlerësuar përparimin e vendeve evropiane dhe të Kanadasë në rritjen e kapaciteteve të tyre ushtarake, në kuadër të një modeli të ri që ai e ka cilësuar si “NATO 3.0”.
Kjo qasje synon që Evropa dhe Kanadaja të kenë një rol më të madh brenda aleancës, ndërsa SHBA-ja të vazhdojë të ofrojë mbështetje, por me një ndarje më të madhe të barrës së sigurisë.
Ai ka veçuar rritjen e shpenzimeve për mbrojtje nga vende si Polonia, Gjermania dhe Holanda.
“Ne vërtet duam të theksojmë se sa i jashtëzakonshëm ka qenë ky përparim”, ka deklaruar Colby, duke vlerësuar njëkohësisht rolin e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Edhe Rutte ka theksuar se aleatët evropianë dhe Kanadaja kanë rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje.
Sipas tij, këto vende kanë shpenzuar 139 miliardë dollarë më shumë për mbrojtje gjatë vitit 2025, krahasuar me vitet e mëparshme.
“Një Evropë më e fortë dhe një Kanada më e fortë në një NATO më të fortë, kjo po ndodh”, ka thënë Rutte.
“Ka ende shumë për të bërë, por do t’ia dalim”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, Colby ka paralajmëruar një rishqyrtim të qëndrimit strategjik të forcave amerikane në Evropë. Ky proces pritet të përcaktojë se si do të realizohet kalimi gradual drejt një modeli ku mbrojtja konvencionale e kontinentit evropian do të udhëhiqet në masë më të madhe nga vetë vendet evropiane.
Në të njëjtën kohë, sipas zyrtarit të Pentagonit, Evropa pritet të marrë një rol drejtues edhe në mbështetjen ndaj Ukrainës.
Deklaratat e Colbyt vijnë në një kohë kur administrata amerikane po sinjalizon një ridimensionim të prioriteteve të saj globale, me fokus më të madh në Hemisferën Perëndimore dhe Indo-Paqësor, ndërsa nga aleatët evropianë kërkohet të investojnë më shumë në mbrojtje dhe të marrin përsipër një pjesë më të madhe të barrës së sigurisë së kontinentit.
Rruga Press

