KryesoreLajme

Britania mbështet përpjekjet e Kosovës për identifikimin e mbetjeve mortore në Zubin Potok

Mbretëria e Bashkuar ka shprehur mbështetjen për familjet e personave që ende figurojnë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë, duke mirëpritur punën e institucioneve kosovare për gjetjen dhe identifikimin e mbetjeve mortore në Zubin Potok.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, në një reagim në Facebook ka thënë se qëndron pranë familjeve të personave të zhdukur dhe mbështet përpjekjet për zbardhjen e fatit të tyre, pas shumë vitesh pasigurie.

“Mbretëria e Bashkuar qëndron me familjet e atyre që ende janë të zhdukur nga konflikti i viteve 1998-1999 dhe mbështet përpjekjet për të gjetur përgjigje për ta, pas shumë vitesh pasigurie”, thuhet në reagim.

Lexo më shumë  Nga Franca në Zvicër, mediat evropiane: Rinia shqiptare ngrihet kundër regjimit autokratik të Ramës

Londra ka mirëpritur punën e autoriteteve të Kosovës për gjetjen e mbetjeve mortore në komunën e Zubin Potokut, si dhe ekzaminimet forenzike dhe testimet e ADN-së që synojnë identifikimin e tyre.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të hënën se mbetjet mortore të gjetura gjatë gërmimeve në Zubin Potok përkojnë me atë që njihet si “Grupi i intelektualëve”, i zhdukur në veri të Kosovës gjatë luftës.

Kurti ka bërë të ditur se gërmimet, të cilat zgjatën katër javë, kanë përfunduar me gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore që vlerësohet se u përkasin së paku 23 personave.

Sipas Kurtit, këta persona dyshohet se janë viktima të zhdukjes me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Lexo më shumë  Gati 32% e qytetarëve në Shqipëri në pasiguri ushqimore, katër herë mbi mesataren evropiane

“Numri 23 përkon me atë që njihet si ‘Grupi i intelektualëve’, të cilët më 19 prill të vitit 1999 u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, që u përpoqën të fshehin dhe të zhdukin gjurmët e këtij krimi gjenocidal”, ka deklaruar Kurti.

Megjithatë, identifikimi përfundimtar i mbetjeve mortore pritet të kërkojë edhe disa muaj, pasi ato duhet t’i nënshtrohen ekzaminimeve forenzike dhe analizave të ADN-së.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur prezantoi të hënën në Prishtinë raportin lidhur me procesin e gërmimeve në Zubin Potok.

YouTube player