Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha: Armatimi i gjetur në Zubin Potok mund të jetë përdorur në masakrën e Grupit të Intelektualëve
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se ekziston dyshimi që një pjesë e armatimit të gjetur dhe konfiskuar në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin-Potokut mund të jetë përdorur në rastin e vrasjes masive të njohur si “Grupi i Intelektualëve”.
Hoxha është pyetur nga gazetarët lidhur me mundësinë e një lidhjeje mes armëve të ekspozuara gjatë konferencës për media dhe masakrave të kryera gjatë luftës në Kosovë, në zonën ku së fundmi janë zbuluar varreza masive dhe mbetje kockore.
Ai ka thënë se përgjigjja përfundimtare për këtë çështje do të mund të jepet vetëm pas ekzaminimit të armëve në laboratorë.
“Normal që këto janë dyshimet tona që pjesë të këtyre armëve që janë të ekspozuara mund të kenë qenë të përfshira në rastin e vrasjes masive te rasti i Grupit të Intelektualëve, mirëpo këto mbeten për t’u verifikuar pas ekzaminimeve që do të bëhen në laboratorët e Kosovës, por edhe të dërgohen jashtë nëse ka nevojë”, ka deklaruar Hoxha.
Ai ka theksuar se bëhet fjalë për armë ilegale, të cilat do të ekzaminohen një nga një, me qëllim që të përcaktohet nëse kanë lidhje me rastet e hetuara.
“Sidoqoftë, këto janë armë ilegale të gjitha dhe do të ekzaminohen një nga një derisa të vijmë te rezultati konkret”, ka thënë drejtori i Policisë.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ekzaminimi i armatimit do të kryhet me prioritet.
Sveçla tha se ka urdhëruar Agjencinë e Forenzikës që menjëherë pas përfundimit të konferencës, armatimi i sekuestruar të dërgohet për ekzaminim dhe të procedohet me urgjencë në bashkëpunim me hetuesit e Policisë.
“Tashmë Agjencia e Forenzikës, kam urdhëruar që me prioritet për të ekzaminuar këto armë. Që nga momenti që përfundon kjo konferencë, gjithë ky armatim do të shkojë në Agjencinë e Forenzikës, e cila në bashkëpunim me policët që janë të kyçur në hetim të i procedojnë me urgjencë”, ka thënë Sveçla.
Ai ka deklaruar se në momentin kur të sigurohen të dhëna të bazuara në prova shkencore, institucionet do të ndërmarrin hapat e nevojshëm në kuadër të hetimeve dhe, nëse konfirmohet përfshirja e personave të caktuar, do të kërkohet përgjegjësi.
“Në momentin e parë që kemi informata të bazuara në shkencë, patjetër që policia do të ndërmarrë hapat e nevojshëm, qoftë në hetim apo edhe në sjelljen para përgjegjësisë të cilitdo që është i përfshirë në këtë masakër dhe ne do të njoftojmë menjëherë publikun”, ka deklaruar Sveçla.
Rruga Press

