KryesoreLajme

“Ministrja e IA-së” në Shqipëri, gjithmonë e buzëqeshur, është produkt i një agjencie qeveritare që po hetohet për korrupsion masiv

Vitin e kaluar në shtator, Shqipëria tërhoqi vëmendjen e mbarë botës kur prezantoi të parin “ministër të Inteligjencës Artificiale” në botë.

Diella – emër që në shqip do të thotë “Diell”, është një chatbot (program bisedues) që është ngritur në nivel ministror. Siç njoftoi Kryeministri Edi Rama, detyra e saj ishte të garantonte se “tenderët publikë do të ishin 100 për qind të pastër nga korrupsioni”.

“Nuk kam ambicie apo interesa personale,” i tha parlamenti avatarit i inteligjencës artificiale, i cili shfaqet i veshur me kostum tradicional, gjatë fjalimit të saj të parë. “Kam vetëm të dhëna, etje për dije dhe algoritme të dedikuara për t’u shërbyer qytetarëve… pa paragjykime, diskriminim, klientelizëm, nepotizëm apo korrupsion.”

Në atë kohë, kishte dyshime nëse Diella mund të ofronte ndonjë zgjidhje reale për problemin e kahershëm të korrupsionit në Shqipëri.

Duket se disa nga këto rezerva mund të kenë qenë të bazuara. Ekspertët paralajmërojnë se plani i Shqipërisë për ta përdorur Diellën si një mburojë kundër korrupsionit ka të meta, duke qenë se informacioni i gjeneruar nga inteligjenca artificiale nuk është në thelb neutral dhe se, deri më tani, ka pasur pak transparencë mbi mënyrën se si do të vihet në punë kjo teknologji.

Këto shqetësime janë shtuar edhe më tej nga një rast flagrant korrupsioni brenda vetë agjencisë që krijoi asistenten virtuale.

Sipas prokurorëve kundër korrupsionit, drejtuesit e agjencisë qeveritare që zhvilluan “Diella”-n, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), dyshohet se kanë manipuluar tenderët në favor të një grupi kriminal që përfitoi nga qasja e privilegjuar në kontratat e agjencisë.

Prokurorët e posaçëm akuzojnë zyrtarët e AKSHI-t (me një urdhër gjykate të lëshuar nga një gjyqtar) se kanë marrë ryshfete, përfshirë kuti vere të mbushura me para të gatshme. Në të njëjtin dokument, drejtori dhe zëvendësdrejtori i agjencisë akuzohen për shkelje të rregullave të tenderëve publikë dhe bashkëpunim me një organizatë kriminale.

Dy pronarë kompanish të teknologjisë së informacionit (IT), njëri prej të cilëve u arrestua muajin e kaluar në Francë, ku u zbulua se zotëronte edhe një kështjellë, janë akuzuar gjithashtu për organizimin dhe bashkëpunimin në këtë skemë.

Ndërkohë, zëvendësdrejtori i policisë së Tiranës është pezulluar nga detyra ndërkohë që është nën hetim për dyshime se ka mbuluar ose ka bashkëpunuar me aktivitetet e paligjshme të grupit.

AKSHI, qeveria dhe avokatët e biznesmenëve e zyrtarëve të akuzuar nuk iu përgjigjën pyetjeve të OCCRP-së. Asnjë nga individët nuk është ende i paditur zyrtarisht, pasi hetimi është në vazhdim.

Në total, autoritetet urdhëruan sekuestrimin e pasurive, përfshirë pasuri të paluajtshme, automjete, llogari bankare dhe para të gatshme, me vlerë mbi 40 milionë euro, të lidhura me këtë skemë.

Zhvillimi i “Diella”-s nuk ishte një nga tenderët e përfshirë në skemën e dyshuar të korrupsionit. Megjithatë, pretendimi se korrupsioni arrinte deri në nivelet më të larta të agjencisë që e krijoi atë, ka shtuar dyshimet mbi planin e qeverisë për ta përdorur këtë teknologji në luftën kundër korrupsionit në një shkallë më të gjerë.

Shqipëria ndodhet nën presion të madh nga Bashkimi Evropian për të çrrënjosur korrupsionin, me qëllim avancimin e përpjekjeve shumëvjeçare për t’u anëtarësuar në bllok. Sipas vlerësimit të fundit nga Brukseli, i publikuar para se të shpërthente skandali i AKSHI-t, perceptimi për korrupsionin në sektorin publik mbetet i lartë.

“Edhe Inteligjenca Artificiale më e sofistikuar do të jetë po aq e mirë sa njerëzit që e ndërtojnë, e përdorin, e mirëmbajnë dhe e përmirësojnë atë,” tha për OCCRP Erjon Curraj, ekspert i transformimit digjital në qendrën SCiDEV, një organizatë kërkimore (think-tank) me bazë në Tiranë.

“Kush i ushqen të dhënat dhe kush e verifikon integritetin e tyre? Kush i identifikon gabimet dhe ‘halucinacionet’ para se ato të shndërrohen në vendime? Njerëzit që mirëmbajnë një sistem të tillë mund ta pasurojnë atë ose ta lënë të degradojë në heshtje.”

Bojan Perkov, Koordinator i Politikave Dixhitale në Fondacionin SHARE, një organizatë jofitimprurëse që fokusohet te të drejtat dixhitale dhe siguria në Ballkanin Perëndimor, paralajmëroi gjithashtu se pastrimi i shtetit nga korrupsioni “nuk mund të arrihet me asnjë lloj teknologjie ‘magjike’, e veçanërisht jo me mjete të inteligjencës artificiale”.

Njoftimet pompoze për përdorime të reja të teknologjisë “shpesh përdoren për publicitetin e politikanëve” në vend që të jenë pjesë e një plani strategjik për të sjellë “përfitime afatgjata për një shoqëri, e cila duhet t’i ndërtojë mekanizmat e saj të qeverisjes mbi bazën e shtetit të së drejtës”, shtoi ai.

Qeveria shqiptare, ASHKI dhe zyra e Kryeministrit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Lexo më shumë  Nënshkruhet marrëveshja, Kosova do t'i shesë Maqedonisë së V. qymyr në vlerë 25 milionë euro në vit

‘Bashkëpunimi me një organizatë kriminale’
Në gusht të vitit 2025, sipërmarrësi shqiptar i teknologjisë, Gerond Meçe, doli nga shtëpia e tij në Tiranë dhe u përball me një automjet të zi “Land Rover Defender” të pajisur me sirenë policie.

Një burrë me uniformë doli nga mjeti dhe e thirri në emër, siç u tregoi më vonë Meçe autoriteteve, momenti u kap gjithashtu nga kamerat e sigurisë, pamjet e të cilave ishin me cilësi të ulët.

“Duhet të vish me ne, hip në makinë,” kujtoi Meçe fjalët e burrit, i cili pretendonte se ishte zyrtar i njësisë shqiptare kundër korrupsionit, Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Por, ndërsa automjeti i madh 4×4 doli nga parkimi dhe burrat i hodhën një kapuç në kokë Meçes, u bë e qartë se kjo kishte qenë një kurth.

“Po të kërkojmë të bashkëpunosh,” i tha një nga burrat Meçes kur makina ndaloi rreth një orë më vonë, sipas dëshmisë që ai dha më vonë para prokurorëve të vërtetë të SPAK-ut. “Përndryshe, do të marrësh një plumb në kokë.”

Prokurorët dyshojnë se rrëmbimi u orkestrua nga grupi kriminal që dyshohet se drejtonte skemën e ryshfetit te AKSHI dhe kishte për qëllim të bindte Meçen të tërhiqte ankesat e kompanisë së tij teknologjike, lidhur me më shumë se një duzinë tenderësh të shpallur nga agjencia.

Firma e Meçes ishte ankuar se tenderët, të cilët përfshinin një sërë projektesh, përfshirë krijimin e softuerëve për agjenci shtetërore si policia, dukeshin të manipuluar në favor të personave të brendshëm; një veprim që kishte bllokuar procesin e kontraktimit të AKSHI-t me bashkëpunëtorët e dyshuar kriminalë.

Pasi Meçe pranoi t’i tërhiqte ankesat, rrëmbyesit e liruan atë.

Kur u kontaktua për një koment, SPAK-u tha se hetimi ishte në vazhdim e sipër dhe se çështja nuk kishte shkuar ende në gjyq.

Eliminimi i Ryshfetit
“Diella” u lançua fillimisht nga AKSHI si një chatbot në janar të vitit 2025, me qëllim që t’i ndihmonte qytetarët të orientoheshin në portalin qeveritar “e-Albania”, ku mund të aksesonin gjithçka, nga certifikatat e lindjes deri te pensionet.

Lançimi i saj ishte pjesë e përpjekjeve të agjencisë për të dixhitalizuar shërbimet qeveritare dhe për të ndihmuar në përshpejtimin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian, objektiv që qeveria aktuale në Shqipëri shpreson ta arrijë deri në vitin 2030.

Disa shqiptarë të njohur me teknologjinë e kanë gjetur të dobishëm portalin online. Klodisa Përnezha, një infermiere 26-vjeçare që jeton në Tiranë, tha se ai e ka bërë punën e saj më të shpejtë, më efikase dhe më të organizuar.

“Nuk kam më nevojë të pres në radhë në institucione apo të humbas kohë duke udhëtuar personalisht për çdo dokument,” tha ajo. “Shumica e shërbimeve tani kryhen online, nga shtëpia apo edhe përmes telefonit tim.”

Megjithatë, duke qenë se 95 për qind e shërbimeve qeveritare ofrohen tani ekskluzivisht online, disa shqiptarë e kanë të vështirë të përdorin ndihmën e “Diellës” në mënyrë të pavarur. Kjo ka çuar në shfaqjen e një rrjeti të vogël ndërmjetësish, të cilët kanë hapur zyra nëpër Tiranë për t’i ndihmuar klientët të përdorin portalin, kundrejt një pagese.

Disa e shohin këtë shërbim thjesht si një formalizim të shtrenjtë të sistemit të vjetër, ku zakonisht i jepej një nëpunësi lokal administrativ një shumë e barabartë me 2 dollarë për të përshpejtuar nxjerrjen e një certifikate familjare apo të një dokumenti pronësie.

“Më parë e dije se kujt t’ia jepje [paratë] dhe e merrje shërbimin. Tani, i jep pa të thënë njeri faleminderit. Është e detyrueshme,” tha Bajram Hasxhepa, një 66-vjeçar që vuan nga diabeti dhe që ka humbur pjesën e poshtme të këmbëve 13 vite më parë.

Për Hasxhepën, shteti digjital “pa pengesa” duket kështu: ai udhëton me karrocë invalidi 600 metra përgjatë rrugës deri te një dyqan artikujsh zyre, i cili shërben edhe si pikë private interneti, vetëm për të printuar një certifikatë familjare.

Dyqani nuk ka rampë për karroca invalidi, ndaj ai detyrohet të qëndrojë jashtë, në trotuar, duke ia thirrur të dhënat e tij personale nëpunësit të ri brenda, mes zhurmës së trafikut dhe duke paguar një “tarifë aplikimi” prej rreth 12 dollarësh për një dokument që shteti pretendon se është falas.

“Diella është shtatzënë”
Fusha e veprimit e Diellës është zgjeruar vazhdimisht që kur ajo u prezantua për herë të parë para publikut.

Nga fillesat e saj si një “chatbot” (program bisedues) për portalin online të qeverisë, ajo u ngrit në detyrë duke marrë rolin e ministres së kabinetit në shtator të vitit 2025. Më pas, një muaj më vonë, pati të reja të tjera.

Lexo më shumë  Deputeti ukrainas kritikon Zelenskyn: Ukraina duhet ta njohë Kosovën

“Diella është shtatzënë dhe pret 83 fëmijë,” bëri shaka kryeministri gjatë një konference ndërkombëtare biznesi në Berlin, në muajin tetor.

Këta “fëmijë” dixhitalë, shpjegoi ai, do të merrnin pjesë në seancat parlamentare, do të analizonin legjislacionin e BE-së dhe madje do t’i njoftonin politikanët që mungonin nëse një rival përmendte emrin e tyre, në mënyrë që ata të mund të përgatisnin një përgjigje.

Diella, e cila shfaqej si një xhind modern në një ekran mbi audiencë, dha gjithashtu mendimin e saj: “Inteligjenca Artificiale do të ndihmojë në identifikimin e pengesave për investime para se ato të shndërrohen në kriza, në zbulimin e rreziqeve të korrupsionit, para se ato të bëhen skandale dhe në parashikimin e mundësive të tregut para se ato të humbasin.”

Për pensionisten Sadete Suta, e cila e ka kaluar vitin e fundit duke paguar ndërmjetës për të komunikuar me Diellën me qëllim sigurimin e pensionit, shakaja e Ramës nuk u prit aq mirë.

“Do t’i çojmë ndonjë pjatë me petulla,” tha ajo me sarkazëm, duke iu referuar një tradite vendase për t’u dërguar ushqime të veçanta grave që sapo kanë lindur.

Si pjesë e detyrave të saj ministrore, zyrtarët premtojnë se Diella së shpejti do të monitorojë blerjet shtetërore, do të vlerësojë ofertat dhe do të mbikëqyrë miliarda euro në tenderat qeveritarë. Megjithatë, detajet e sakta të rolit të saj në të gjithë këtë proces ende nuk janë përcaktuar qartë.

Kutia e Zezë
Ekspertët paralajmërojnë se plani i Shqipërisë për të përdorur “Diellën” si një mjet mbrojtës kundër korrupsionit ka mangësi.

“Diella” në mënyrë të pashmangshme do të klasifikojë, renditë sipas përparësisë dhe strukturojë informacionin mbi të cilin bazohen vendimet politike,” thuhet në një analizë të botuar nga Instituti i Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë, një organizatë kërkimore (think-tank) që merret me politikën e jashtme dhe të sigurisë.

“Prandaj, pyetja që shtrohet është se në çfarë mase gjykimet njerëzore formësohen, kufizohen ose ndikohen nga këto rezultate.”

Për më tepër, pa një mbikëqyrje të qartë apo mundësi për të gjurmuar “vendimet” e saj, “Diella” “rrezikon të shtojë një shtresë të re pandriçueshmërie në qeverisje, në vend që ta pakësojë atë,” paralajmëroi organizata.

Curraj, ekspert i transformimit digjital nga qendra SCiDEV, i bëri thirrje qeverisë të krijojë një “sandbox” transparent, një mjedis të sigurt testimi ku teknologjia mund të funksionojë pa ndikuar në botën reale dhe ku akademikët e ekspertët e shoqërisë civile mund të japin opinionet e tyre.

Pa këtë hap, “nuk mund ta vini atë në përdorim real,” tha ai.

Mbetet e paqartë se kush do të mbajë përgjegjësi për vendimet e “Diellës”, një çështje që opozita e ka ngritur si pjesë e një ankese të dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese.

Duke iu përgjigjur kritikëve që argumentojnë se algoritmet mund të manipulohen dhe kontrollohen, Rama tha se procesi i vendimmarrjes së “Diellës” “do të mbetet plotësisht i auditueshëm”.

Vendimet përfundimtare do të merren sërish nga zyrtarët, bazuar në informacionin që ofron “Diella”, tha ai.

“Kushdo që dëshiron ta shqyrtojë procesin manualisht, do të ketë mundësinë ta bëjë këtë. Asgjë që del nga sistemi nuk do të jetë e pamundur për t’u gjurmuar.”

Por, ndërsa publiku pret më shumë detaje, “Diella” ka hasur tashmë në probleme ligjore.

Në prill, Anila Bisha, aktorja mbi të cilën është bazuar pamja dhe zëri i “Diellës”, ngriti një padi kundër qeverisë, duke e akuzuar atë për keqpërdorim të imazhit të saj; qeveria i mohon këto akuza.

Bisha deklaroi se kishte dhënë leje që imazhi i saj të përdorej për një asistente virtuale të mundësuar nga inteligjenca artificiale, por jo si një politikane në qeverinë e Ramës.

Aktorja e vuri re ndryshimin ndërsa po ndiqte lajmet me bashkëshortin e saj dhe, që atëherë, është përballur me ngacmime në rrugë dhe në internet, tha ajo për OCCRP.

“Ka nga ata që më thonë se kam fituar famë. Por unë nuk shoh ndonjë famë këtu; madje them se kjo nuk është aspak famë.”

Tani ajo shqetësohet se çfarë mund t’i caktohet Diellës të bëjë më pas.

“Kam frikë se, me zhvillimin që ka marrë teknologjia, nuk e di më se si mund ta përdorin ndryshe fytyrën dhe zërin tim,” tha aktorja. “Të dhënat e mia kanë dalë në treg.”/OCCRP.ORG

Rruga Press

YouTube player