Dyfytyrësia e një manipuluesi! – Ali Ahmeti, na kujto Nikolla Gruevskin dhe Sasho Mijallkovin, figura të një pushteti që shqiptarët e përjetuan si ndër më antishqiptarët
Nga Adnan Azizi
Qenka shqetësuar Ali Ahmeti pse Albin Kurti u pa krah Hristijan Mickoskit në One Stop Shop në Bllacë – një projekt strategjik që lidh shqiptarët e Kosovës me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, lehtëson lëvizjen e njerëzve dhe biznesit dhe forcon pozitën tonë ekonomike në rajon.
Por, Ali, para se të na flasësh për patriotizëm, na kujto pak me kë ke bashkëpunuar ti në emër të “strategjisë politike”.
Na kujto Aleksandar Vuçiqin, ish-ministrin e propagandës së regjimit të Millosheviqit.
Na kujto Nikolla Gruevskin dhe Sasho Mijallkovin, figura të një pushteti që shqiptarët e përjetuan si ndër më antishqiptarët.
Na kujto edhe Lube Boshkovskin, emri i të cilit lidhet me ngjarjet tragjike të Lubotenit, ku u vranë civilë shqiptarë.
Atëherë, Ali, ku ishin lotët e nënave të dëshmorëve?
Ku ishte dhimbja që sot të kujtohet kur sheh Kurtin në një takim zyrtar me homologun e tij maqedonas?
A nuk ishte edhe atëherë para teje historia, gjaku dhe dhimbja e shqiptarëve?
Ti bashkëpunove me njerëz që shqiptarët i kishin përjetuar si kundërshtarë dhe armiq politikë e kombëtarë, dhe këtë e arsyetoje si interes politik, strategji dhe “patriotizëm të avancuar”, vetëm për të justifikuar qëndrimin në pushtet.
Sot, kur një kryeministër shqiptar takohet zyrtarisht me homologun maqedonas për një projekt konkret që u shërben qytetarëve dhe ekonomisë shqiptare, ti e sheh këtë si problem.
Ky është standard i dyfishtë.
Kur ti bëje marrëveshje me kundërshtarët e shqiptarëve, ishte “strategji politike”.
Kur ti u shfaqje krah Vuçiqit për projektin Open Balkan, ishte “interes shtetëror”.
Kur bashkëqeverise me Gruevskin dhe Mijallkovin, ishte “realpolitikë”.
Kur bashkëpunoje me Boshkovskin, pavarësisht peshës së rëndë që mbart në kujtesën shqiptare tragjedia e Lubotenit, ishte pjesë e politikës.
Por kur Albin Kurti takohet zyrtarisht me homologun e tij maqedonas për të realizuar një projekt që lidh njerëzit, zhvillon ekonominë dhe forcon bashkëpunimin, atëherë na flisni për lotët e nënave të dëshmorëve.
Jo, Ali. Lotët e nënave të dëshmorëve nuk mund të përdoren sipas nevojës politike.
Nëse ato lotë të kanë dhembur vërtet, duhet të të kenë dhembur edhe kur u ule në tavolinë me ata që shqiptarët i konsideronin përgjegjës ose bashkëpërgjegjës për vuajtjet e tyre.
Patriotizmi nuk matet me fjalë kur je në opozitë. Patriotizmi provohet kur je në krye të përgjegjësisë dhe kur ke pushtetin për të vendosur.
Prandaj, para se ta gjykosh Kurtin për një takim me homologun e tij, kujtoju shqiptarëve me kë ke bashkëpunuar ti dhe si e ke quajtur atë bashkëpunim.
Ti e quajte strategji dhe interes shtetëror bashkëpunimin në kuadër të një politike që, sipas kritikëve të saj, i shërbente edhe interesave ruso-serbe.
Ndërsa Kurti, sipas kësaj logjike politike, ndërtoi një qasje krejt tjetër: forcoi sovranitetin e Kosovës dhe vendosi institucionet e Republikës së Kosovës në veri të vendit.
Prandaj, problemi nuk është Kurti krah Mickoskit.
Problemi është hipokrizia e atij që dje e quante patriotizëm bashkëpunimin me ata që shqiptarët i kishin përballë, ndërsa sot na shet moral për një takim zyrtar që sjell një projekt konkret në interes të shqiptarëve.
Shqiptarët nuk harrojnë.
Nuk harrohen pamjet krah Vuçiqit.
Nuk harrohet Open Balkan.
Nuk harrohen bashkëqeverisjet me Gruevskin dhe Mijallkovin.
Dhe nuk harrohet Luboteni dhe emri i Lube Boshkovskit në kujtesën e shqiptarëve.
Historia nuk ndryshohet me deklarata. As patriotizmi nuk matet me lot të përdorur vetëm kur të leverdis politikisht.
Rruga Press

