Qumështorja VITA, bashkë me mediat e paguara prej saj dhe jo vetëm, po tentojnë ta mbulojnë me PROPAGANDË atë që tashmë është faktuar nga analizat
Shkruan Kujtim Zebica
Po shkruaj edhe një herë për këtë temë, sepse edhe po më bëhet tag në FB nga punëtorë të Qumështores Vita apo nga përkrahës të tyre edhe Qumështorja VITA, bashkë me mediat e paguara prej saj dhe jo vetëm, po tentojnë ta mbulojnë me PROPAGANDË atë që tashmë është faktuar nga analizat.
Është e faktuar 100%: Abrazen LLC / Qumështorja VITA përdor vaj palme, qumësht pluhur dhe pluhur hirre në shumë prej produkteve të saj dhe NUK e deklaron në etiketë të produktit.
Prej pesë llojeve të qumështit të VITA-s që janë analizuar, katër kanë rezultuar me vaj palme. Vetëm një lloj nuk ka, brendi i qumështit “Vita”. Në total, sipas analizave e raportit të AUV-së, 26 produkte të Qumështores VITA kanë vaj palme apo shtesa tjera bimore.
Po ashtu, sipas të dhënave për importin e vajrave dhe produkteve bimore nga kompanitë përpunuese të qumështit, Abrazen / Qumështorja VITA del ndër importuesit më të mëdhenj! Normalisht, mangut nuk mbesin as disa kompani të tjera përpunuese të qumështit.
Tash, përballë këtyre gjetjeve të rënda, çka po bëjnë VITA dhe partnerët e saj?
Po i përzgjedhin dhe publikojnë vetëm rezultatet që u konvenojnë. Po e paraqesin rezultatin e një produkti me qëllimin që ta pastrojnë krejt kompaninë, ndërsa qëllimisht i fshehin dhe i anashkalojnë rezultatet e produkteve të tjera.
Çështja nuk ka të bëjë vetëm me mashtrimin e konsumatorëve dhe rrezikun për shëndetin e qytetarëve. Ka edhe dimension serioz fiskal. Produktet që trajtohen si produkte qumështi tatohen me 8% TVSH, ndërsa ato që përmbajnë shtesa bimore me 18%. Nëse përbërja është fshehur dhe TVSH-ja është paguar si për produkte të pastra të qumështit, atëherë kemi dyshime të bazuara edhe për evazion fiskal në shkallë të madhe.
Publikojini të gjitha analizat e krejt FAKTET, jo vetëm ato që ju konvenojnë!
Shumë mirë që shkeljet e shumta të shumicës së kompanive përpunuese të qumështit dolën edhe zyrtarisht në pah. Tash është radha e institucioneve: hetim të plotë, dënime të merituara dhe kontrolle shumë më të rrepta.
Zakonisht nuk kërkoj rishpërndarje/share të statuseve të mia, por informatat që janë këtu meritojnë të shihen sa më shumë.
*Në postim keni rezultatet e analizave që nuk janë publikuar nga kompania, si edhe informata të importit të vajit të palmës, qumështit pluhur edhe hirrës pluhur.
Rruga Press

