Shkeljet në tenderët e shëndetësisë nuk ndalen, abuzime të tjera në spitalet e Shkodrës dhe Lushnjës
Problemet me procedurat e prokurimit në sektorin e shëndetësisë vijojnë të përsëriten, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi respektimin e legjislacionit dhe kontrollin e fondeve publike. Pas rasteve të raportuara më herët nga Ekofin në spitalin “Shefqet Ndroqi”, Spitalin Psikiatrik të Elbasanit dhe Spitalin Rajonal të Durrësit, Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka evidentuar shkelje të tjera, këtë herë në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe në Drejtorinë e Spitalit “Ihsan Çabej” në Lushnjë.
Dy vendimet e publikuara nga APP tregojnë se problematikat nuk janë të izoluara, por po shfaqen në institucione të ndryshme të sistemit shëndetësor publik, duke dëshmuar dobësi të vazhdueshme në administrimin e procedurave të prokurimit.
Në rastin e Spitalit Rajonal të Shkodrës, APP zhvilloi monitorimin e një kontrate furnizimi pas një ankese të paraqitur nga një palë e tretë. Sipas konstatimeve, autoriteti kontraktor nuk kishte provuar se ishin kryer verifikimet e nevojshme mbi përmbushjen e kushteve të kontratës dhe cilësinë e mallrave të furnizuara, siç kërkohet nga dokumentet e tenderit dhe legjislacioni në fuqi.

Po ashtu, APP konstatoi se nuk ishte verifikuar deklarata e operatorit ekonomik lidhur me prodhuesin e mallrave, dokument mbi bazën e të cilit kompania ishte shpallur fituese e procedurës së prokurimit.
Për këto shkelje, Agjencia e Prokurimit Publik ka propozuar marrjen e masave disiplinore ndaj katër personave përgjegjës.
Ndërkohë, në Spitalin “Ihsan Çabej” të Lushnjës, APP kreu verifikimin e dy procedurave të prokurimit me vlerë të vogël për kontrata shërbimesh, pas një tjetër ankese nga një operator ekonomik.
Sipas vendimit, autoriteti kontraktor nuk kishte respektuar kërkesat e ligjit “Për prokurimin publik” dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave për rregullat e prokurimit publik, lidhur me përgatitjen e ftesës për ofertë dhe publikimin e procesverbalit të argumentimit në sistemin elektronik të prokurimit.

Gjithashtu, APP konstatoi se nuk ishin ndjekur procedurat e parashikuara në udhëzimin për zhvillimin elektronik të procedurave me vlerë të vogël.
Për pasojë, Agjencia ka propozuar marrjen e masave disiplinore ndaj anëtarëve të komisionit të prokurimit të këtyre procedurave.
Këto dy raste i shtohen një serie shkeljesh të evidentuara gjatë muajve të fundit në institucionet shëndetësore. Ekofin ka raportuar më herët për gjetjet e APP-së në procedurat e zhvilluara nga Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, Spitali Psikiatrik i Elbasanit dhe Spitali Rajonal i Durrësit, ku gjithashtu u konstatuan mangësi në zbatimin e legjislacionit të prokurimit publik.
Përsëritja e këtyre rasteve në spitale të ndryshme tregon se problemet nuk lidhen me incidente të izoluara, por sinjalizojnë dobësi sistematike në administrimin e tenderëve publikë në sektorin e shëndetësisë./ekofin.al
Rruga Press

