Bota

BBC: Nafta bie nën 80 dollarë pas sinjaleve për përparim në bisedimet SHBA-Iran mbi Ngushticën e Hormuzit

Çmimi i naftës Brent, standardi ndërkombëtar për tregtinë e naftës së papërpunuar, ra me gati 5%, duke zbritur nën 80 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) humbi më shumë se 5%, duke u tregtuar rreth 76 dollarë për fuçi. Të dy kontratat prekën nivelin më të ulët që nga 13 korriku.

Rënia erdhi pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaruan se negociatat për rikthimin e lundrimit tregtar në Ngushticën e Hormuzit kanë shënuar progres. Sipas tyre, një marrëveshje mund të arrihet brenda pak ditësh, duke mundësuar rifillimin e transportit detar në një nga rrugët më të rëndësishme të energjisë në botë.

Rubio u shpreh se bisedimet me Iranin, përmes ndërmjetësimit të Omanit, kanë avancuar, megjithëse ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare. Edhe Bessent deklaroi se ekziston mundësia që një marrëveshje të finalizohet shumë shpejt, duke rikthyer lirinë e lëvizjes për anijet tregtare.

Lexo më shumë  I ndërtuar për të zgjatur, u shemb brenda pak muajsh! Si Péter Magyar çmontoi sistemin e Viktor Orbánit

Nga ana tjetër, Irani ka mohuar se po zhvillon negociata të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se komunikimi po zhvillohet vetëm përmes Omanit. Autoritetet iraniane e cilësuan pozitiv procesin e diskutimeve për krijimin e një mekanizmi të ri që garanton kalimin e sigurt të anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Ngushtica e Hormuzit është një nga arteriet më të rëndësishme të tregtisë globale të energjisë, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm. Çdo tension në këtë zonë ka ndikim të menjëhershëm në çmimet ndërkombëtare të energjisë dhe në koston e karburanteve për konsumatorët.

Lexo më shumë  Zelensky emëron ish-ministrin e mbrojtjes, Umerov si kreun e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme

Analistët vlerësojnë se tregjet mbeten të kujdesshme, pasi negociatat e mëparshme mes palëve kanë dështuar disa herë. Megjithatë, sinjalet e fundit për përparim kanë ulur presionin mbi tregun e naftës dhe kanë ndikuar pozitivisht edhe në bursat amerikane.

Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se Irani ka “mundësinë e fundit” për të arritur një marrëveshje që do të lejonte rikthimin e transportit tregtar në Ngushticën e Hormuzit, duke shtuar se kishte pezulluar sulme të planifikuara për t’i dhënë një shans diplomacisë.

YouTube player