Ulsi Manja promovon rrugën e Klosit, komentuesit: “Këtë e shtroja më mirë me forcat e mia”
Vitet kalojnë, por propaganda e përfaqësuesve të qeverisë mbetet e pandryshuar. Kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe njëherazi drejtuesi politik i PS-së për qarkun Dibër, Ulsi Manja, ka zgjedhur këtë herë të promovojë në Facebook një rrugë të sapondërtuar në Bashkinë Klos, duke e paraqitur si një tjetër sukses të investimeve publike.
Bëhet fjalë për rrugën në lagjen Kurti të fshatit Gurrë e Vogël. Në postimin e tij, Manja shkruan se ky është “një tjetër investim që përmirëson jetën e banorëve dhe dëshmon se zhvillimi ndërtohet hap pas hapi, pranë çdo komuniteti”.
Por, mjafton t’u hedhësh një sy fotove të publikuara për të kuptuar se “superinvestimi” nuk ka shumë lidhje me standardet që priten nga një rrugë e ndërtuar me fondet publike. Në vend të asfaltit është hedhur beton, mbi të cilin janë bërë disa prerje që automjetet të mos rrëshqasin gjatë dimrit. Ndërkohë mungojnë kanalet kulluese, barrierat mbrojtëse, sinjalistika rrugore, ndërsa ferrat përgjatë rrugës kanë mbetur aty ku kanë qenë.
Me pak fjalë, investimi të kujton menjëherë inaugurimet e famshme të ish-kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla. I vetmi “përmirësim” është se kësaj here betoni është hedhur në të gjithë gjerësinë e rrugës.
Edhe qytetarët nuk janë bindur nga propaganda. Në komentet e postimit, ironitë dhe kritikat kanë qenë të shumta.
“Seriozisht e ke këtu?! Kjo më duket më shumë si vrazhdë dhish se sa si rrugë. Mirë ua bën këtij mileti. Duhet më shumë të tallesh, kjo është shumë pak”, shkruan një komentues.
Një tjetër thotë, “Në një fshat në Mat si puna e kësaj rruge me çimento e kanë rregulluar vetë fshatarët”.
Ndërsa një qytetar tjetër ironizon, “Ja kanë vjedh llogarinë dhe postojnë, se s’ka mundësi. Këtë rrugë, o deputet, ma thoje mua dhe e kisha shtruar më gjerë e më mirë me forcat e mia. Latë nam, mor burrë”.
Megjithatë, pavarësisht reagimeve, postimi vazhdon të qëndrojë në faqen e Ulsi Manjës si një prej “investimeve” që qeveria promovon në Dibër.
Pra, mjafton pak beton, disa vija me mallë dhe një postim në Facebook, sa për propagandën e ditës. Ndërsa standardet, ato me sa duket do të plotësohen pasi Ulsiu me shokë të na fusin në Bashkimin Europian.
Rruga Press

