KryesoreLajme

Ermal Beqiri: Nga selfie me Macron te qelia në Francë, ironia e fatit dhe hija e dyshimeve për spiunazh 

Vetëm një vit më parë, Ermal Beqiri publikonte me krenari një fotografi me presidentin francez Emmanuel Macron. Në një postim në LinkedIn, ai e përshkruante takimin si “më shumë se një nder”, ndërsa Francën si vendin që i kishte dhënë “strukturë, disiplinë dhe një shtëpi të dytë”.

Në atë kohë, Beqiri paraqitej si një sipërmarrës i suksesshëm, drejtues i Albanian Council for Technology and Innovation (ACTI) dhe një figurë që promovonte lidhjet mes Shqipërisë dhe Francës.

Sot, tabloja është krejt tjetër.

Beqiri ndodhet në paraburgim në Francë dhe autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij, pasi kërkohet nga SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t.

Lexo më shumë  Përfitoi miliona euro nga tenderat e AKSHI, çfarë deklaroi Ermal Beqiri për autoritetet franceze pas arrestimit

Por arrestimi i tij ka ngritur edhe një tjetër pikëpyetje. Sipas informacionit të bërë publik deri tani, ai u ndalua pasi dyshohet se fluturoi me një avion të lehtë mbi një central bërthamor francez, një incident që në Francë trajtohet me ndjeshmëri të lartë për shkak të rëndësisë së infrastrukturës kritike.

Deri në këtë moment, autoritetet franceze nuk kanë bërë publike akuza për spiunazh dhe nuk kanë konfirmuar motivet që lidhen me këtë fluturim. Megjithatë, natyra e objektit mbi të cilin dyshohet se fluturoi dhe masat e marra nga autoritetet kanë ushqyer spekulime se hetimi mund të ketë edhe dimensione të sigurisë kombëtare.

Lexo më shumë  Organizata e DASH jep alarmin: Krimi dhe korrupsioni në Shqipëri janë shtuar, pandëshkueshmëria mbetet problem serioz

Nëse kjo pistë do të konfirmohet apo jo, mbetet në dorën e hetuesve francezë.

Ironia e historisë është se njeriu që vetëm një vit më parë publikonte me krenari fotografinë me presidentin Emmanuel Macron dhe fliste për Francën si “shtëpinë e tij të dytë”, sot pret vendimet e drejtësisë franceze, ndërsa Shqipëria kërkon kthimin e tij për t’u përballur me akuzat e ngritura nga SPAK. /VNA/

YouTube player