Konjufca: Zgjedhja jonë është Evropa, Serbia me retorikë kriminale
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca, pas nënshkrimit të katër marrëveshjeve me ministrin francez për Evropë, Benjamin Haddad, ka theksuar mirënjohjen për mbështetjen shtetërore dhe ka thënë se Evropa është zgjedhja e Kosovës.
“Republika e Kosovës e ka dëshmuar përkushtimin e palëkundur ndaj reformave demokratike, sundimit të ligjit dhe përafrimit të politikave të saj, edhe të jashtme, edhe të sigurisë, me Bashkimin Evropian. Në një kohë kur Evropa përballet me sfida të mëdha të sigurisë, besueshmëria e projektit evropian varet nga një zgjerim më i shpejtë dhe i drejtë, e i bazuar në merita. Kosova ka bërë zgjedhjen e saj strategjike dhe zgjedhja jonë është Evropa, Bashkimi Evropian”, ka potencuar Konjufca.
Ai ka folur për retorikën kriminale të Serbisë dhe thirrjen e vazhdueshme për përsëritjen e luftës.
“Retorikat që justifikojnë ose i relativizojnë krimet e viteve ’90-ta, siç po ndodh nga Serbi, janë jo vetëm provokim, por janë të papranueshme dhe të papërputhshme me vlerat e qytetërimit, paqes dhe demokracisë, dhe nuk mund të kenë vend ato në Evropën demokratike. Paqja e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e të kaluarës apo mbi thirrjet për përsëritjen e saj, por vetëm mbi të vërtetën, drejtësinë dhe përgjegjësinë”, ka thënë Konjufca.
Konjufca më tej ka thënë se Franca mbetet partner kyç për Kosovën dhe se roli i tyre në rindërtimin e një Evrope më të fortë dhe për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor është i pazëvendësueshëm.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme ka kërkuar avancimin të bashkëpunimit, sidomos në ekonomi e kulturë. Ai ka shprehur mirënjohje për gatishmërinë e Francës për ndihmë gjatë organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030 në Prishtinë.
“Ky është një kontribut që shkon përtej mbështetjes praktike. Ajo shpreh angazhimin e të dy vendeve tona dhe besimin e Francës, si fuqi qendrore evropiane por edhe mesdhetare, në potencialin dhe të ardhmen e Kosovës. Kjo ia jep Lojërave Mesdhetare 2030 një dimension të ri”, ka thënë Konjufca.
Ai ka ritheksuar gatishmërinë e Kosovës për ndihmë dhe ndërhyrje pas zjarreve masive që kanë kapluar Francën.
Rruga Press

