Lajme

Haxhiu sot cakton datën e seancës konstituive

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se sot do ta caktojë datën për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së re.

Ajo ka thirrur një konferencë për orën 11:00.

Haxhiu, e cila si kryeparlamentare ka edhe përgjegjësinë që bashkë me përbërjen e kryesisë së legjislaturës së shkuar ta përgatisë seancën konstituive, ka thënë se arsyeja e caktimin të datës thuajse në fund të afatit kushtetues është për shkak se me konstituim të kuvendit nis edhe rrjedhja e afatit 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.

“Kam vlerësuar që është e rëndësishme që t’u japim hapësirën dhe kohën e nevojshme partive politike, në mënyrë që të arrijnë deri te një marrëveshje për ta zgjedhur presidentin ose për ta tejkaluar situatën që e kemi për momentin. Prandaj, ajo do të mbahet në javën e parë të muajit gusht edhe të premten besoj do ta bëj njoftimin se kur saktësisht do të mbahet kjo seancë”, ka thënë të mërkurën e kësaj jave Haxhiu.

Deri më 7 gusht, deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit. E para kësaj date, zyrtarë të Lidhjes Demokratike kanë thënë se do ta mbajnë Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, ku do të votohet për shkarkimin ose jo të kryetarit Lumir Abdixhiku, i cili paralelisht iniciativës kundër tij, shprehu gatishmëri për marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, për konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e parakohshme të qershorit.

Lexo më shumë  Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës/ Sot seanca e fundit plenare, qytetarët protestojnë para Kuvendit: Nuk na përfaqëson parlamenti i krimit

Afati i 7 gushtit për konstituimin e Kuvendit buron nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 25 qershor të 2025-s, kur pati ngërç në Kuvend.

Neni 66 i Kushtetutës përcakton që “Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve”.

Ndërkaq, bazuar në interpretimin e bërë nga Kushtetuesja, termi “mbajtja” e seancës konstituive nënkupton që ajo të përmbyllet brenda 30 ditësh pas certifikimit të rezultatit. E rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit është bërë më 8 korrik.

“Gjykata duke iu rikthyer përcaktimeve në paragrafin 1 të nenit 66 të Kushtetutës thekson se vetë struktura e kësaj dispozite kushtetuese nënkupton se mbajtja e seancës konstituive brenda afatit tridhjetë (30) ditor, nuk është mundësi formale apo orientuese, por detyrim kushtetues që lidhet ngushtë me fillimin e mandatit të legjislaturës së re”, thuhet në aktgjykim. “Kërkesa nga paragrafi 1 i nenit 66 të Kushtetutës, që Kuvendi të mbajë Seancën Konstituive brenda tridhjetë (30) ditësh nuk do të thotë vetëm që deputetët e zgjedhur duhet të mblidhen fizikisht në sallë. Kuptimi i kësaj norme duhet të jetë substancial dhe funksional, duke nënkuptuar që brenda këtij afati duhet të realizohen të gjitha veprimet kushtetuese që rezultojnë në konstituimin e Kuvendit. Këto përfshijnë: (i) verifikimin e mandateve të deputetëve të zgjedhur, (ii) dhënien e betimit nga ana e tyre (iii) zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe (iv) zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Thënë këtë, Gjykata rithekson që pa përfundimin me sukses të këtyre veprimeve kushtetuese, Kuvendi nuk mund të konsiderohet juridikisht i konstituuar dhe, rrjedhimisht, nuk mund të ushtrojë asnjë nga funksionet që Kushtetuta i ka caktuar”.

Lexo më shumë  “Protesta më e madhe antiqeveritare ndër vite”/ Gazeta italiane: Rama tenton të shuajë tubimin me tallje dhe teori konspirative

Rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 u patën certifikuar më 27 mars, seanca për konstituim nisi më 15 prill – e kryetari dhe katër nënkryetarë u zgjodhën tek më 26 gusht – 152 ditë nga certifikimi.

Por, gjatë kësaj periudhe Kushtetuesja kishte shpallur dy aktgjykime ku pjesën më të madhe të seancave e kishte shpallur të pavlefshme dhe sipas Kushtetueses afati 30- ditor nuk ishte tejkaluar.

Rruga Press

YouTube player