KryesoreLajme

Ministri Murati: 5 milionë euro grant për rrjetin energjetik

Ministria e Financave ka nënshkruar një marrëveshje granti me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW) në vlerë prej 5 milionë eurosh, për financim shtesë të projektit “Zhvillimi i sektorit të energjisë Faza VII – Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”.

Projekti do të zbatohet nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe synon modernizimin e infrastrukturës së transmisionit, rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së furnizimit me energji elektrike, si dhe avancimin e integrimit të tregut energjetik.

Sipas Ministrisë së Financave, investimi përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të sistemit energjetik dhe zhvillimin e mëtejshëm të rrjetit të transmisionit në vend.

Lexo më shumë  Kurti merr pjesë në hapjen e bazës operative të Wizz Air në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës

Ministri i Financave, Hekuran Murati, vlerësoi angazhimin e KOSTT-it në zbatimin e projektit dhe rezultatet e arritura deri më tani.

“Ky financim shtesë i siguruar nga Qeveria Gjermane përmes KfW do të mbështesë realizimin e investimeve prioritare dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit energjetik”, tha Murati.

Drejtori i KfW-së për Kosovë, Moritz Remé, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet e Kosovës.

“Konfirmojmë gatishmërinë e KfW-së për të vazhduar mbështetjen për modernizimin e sektorit energjetik në Kosovë”, u shpreh Remé.

Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava, tha se projektet janë duke u realizuar sipas planifikimeve.

“Këto projekte po realizohen sipas dinamikës së planifikuar, ndërsa mbështetja shtesë e siguruar nga KfW do të krijojë mundësi për modernizimin e mëtejshëm të rrjetit të transmetimit, duke rritur aftësinë e tij për t’iu përgjigjur zhvillimeve të së ardhmes dhe duke forcuar sigurinë dhe besueshmërinë e sistemit elektroenergjetik të Kosovës”, deklaroi Tërnava.

Lexo më shumë  Gazetarët Naomi Klein dhe Mehdi Hasan në mbështetje të protestës së flamingove

Ministria e Financave thekson se mbetet e përkushtuar në mobilizimin e financimeve për projekte strategjike që kontribuojnë në forcimin e sigurisë energjetike, zhvillimin e infrastrukturës kritike dhe avancimin e qëndrueshëm të sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës.

YouTube player