KryesoreLajme

Raporti më i fundit i Agjencisë Evropiane të Mjedisit nxjerr në pah një nga dështimet më serioze të qeverisjes mjedisore në Shqipëri: degradimin e vazhdueshëm të cilësisë së ujërave larës

Qëndrim mbi raportin e Agjencisë Evropiane të Mjedisit për cilësinë e ujërave larës në Shqipëri

Raporti më i fundit i Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) nxjerr në pah një nga dështimet më serioze të qeverisjes mjedisore në Shqipëri: degradimin e vazhdueshëm të cilësisë së ujërave larës. Për një vend që e ka shpallur turizmin si motorin kryesor të zhvillimit ekonomik, këto rezultate janë alarmante dhe duhet të shërbejnë si kambanë alarmi për institucionet përgjegjëse.

Shqipëria renditet e fundit në Evropë për përqindjen e ujërave larës me cilësi “të shkëlqyer”, me vetëm 16.8% të tyre në këtë kategori, ndërsa njëkohësisht renditet e para për përqindjen e ujërave me cilësi “të dobët”, që arrin në rreth 22%. Këto nuk janë thjesht statistika. Ato përfaqësojnë nivelin real të ndotjes së ujërave, efektivitetin e menaxhimit të ujërave të ndotura dhe aftësinë e shtetit për të mbrojtur shëndetin publik dhe ekosistemet ujore.

Edhe më shqetësues është fakti se nuk kemi të bëjmë me një përkeqësim të rastësishëm. Përkundrazi, raportet e pesë viteve të fundit tregojnë një trend të qartë dhe të pandërprerë rënës. Në vitin 2021, Shqipëria raportonte rreth 68% të ujërave larës me cilësi të shkëlqyer dhe renditej në vendin e 26-të nga 30 shtete të përfshira në vlerësim. Çdo raport pasues ka evidentuar një përkeqësim të mëtejshëm, deri në pikën që sot Shqipëria renditet e fundit në Evropë, me vetëm 16.8% të ujërave larës në kategorinë më të lartë të cilësisë. Ky regres pasqyron një problem real dhe në përkeqësim.

Lexo më shumë  Dosja Aruba/ SPAK zbarkon në KKT, sekuestrohen dhjetëra dosje kullash e resortesh

Ky realitet bie ndesh me përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për të promovuar një imazh të suksesshëm të performancës mjedisore të vendit, duke u mbështetur në tregues të përgjithshëm si Indeksi i Performancës Mjedisore (EPI). Ndërsa EPI përmbledh dhjetëra indikatorë të ndryshëm – duke përfshirë kuadrin ligjor, politikat klimatike, cilësinë e ajrit apo kapacitetet institucionale – raporti i Agjencisë Evropiane të Mjedisit mat një tregues konkret dhe të prekshëm: cilësinë reale të ujërave ku qytetarët dhe turistët lahen. Pikërisht për këtë arsye, ky raport përfaqëson një pasqyrë shumë më të drejtpërdrejtë të efektivitetit të politikave publike në menaxhimin e ndotjes.

Rezultatet e këtij raporti ngrenë pikëpyetje serioze mbi funksionimin e infrastrukturës së trajtimit të ujërave të ndotura, mbi kontrollin e shkarkimeve urbane dhe industriale, mbi menaxhimin e mbetjeve dhe mbi nivelin e monitorimit dhe zbatimit të legjislacionit mjedisor. Është e vështirë të flitet për sukses në mbrojtjen e mjedisit, ndërkohë që treguesit që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve dhe cilësinë e ekosistemeve janë në rënie të vazhdueshme.

Situata është edhe më paradoksale po të kemi parasysh se ekonomia shqiptare po mbështetet gjithnjë e më shumë tek turizmi. Nuk mund të ndërtohet një model i qëndrueshëm turistik mbi plazhe që klasifikohen si të ndotura apo me cilësi të dobët të ujërave. Turizmi nuk matet vetëm me numrin e vizitorëve, por edhe me cilësinë e mjedisit që u ofrohet atyre dhe me aftësinë për ta ruajtur atë në afatgjatë.

Në vend të propagandës dhe përzgjedhjes selektive të statistikave, kjo situatë kërkon një analizë të sinqertë dhe ndërhyrje urgjente. Përmirësimi i cilësisë së ujërave larës nuk është vetëm një detyrim ndaj Bashkimit Evropian apo një kriter për integrimin, por mbi të gjitha një detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë dhe një kusht themelor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Lexo më shumë  “Rama, jepe dorëheqjen”, Sot protesta e 52-të me radhe

Në këtë drejtim, disa masa janë të domosdoshme:

përfundimi dhe funksionalizimi i plotë i impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura urbane, veçanërisht në zonat turistike;

eliminimi i shkarkimeve të paligjshme të ujërave të zeza dhe mbetjeve industriale në lumenj, laguna dhe përgjatë vijës bregdetare;

forcimi i monitorimit të cilësisë së ujërave larës me publikim në kohë reale të rezultateve dhe transparencë të plotë për qytetarët;

rritja e kapaciteteve të inspektimit dhe zbatimi rigoroz i legjislacionit ndaj çdo subjekti që ndot mjedisin;

investime prioritare në rrjetet e kanalizimeve dhe menaxhimin e ujërave të ndotura në të gjitha zonat turistike;

hartimi dhe zbatimi i një plani kombëtar për reduktimin e ndotjes së ujërave bregdetare, me objektiva të matshëm dhe mekanizma të qartë përgjegjësie institucionale.

Raporti i Agjencisë Evropiane të Mjedisit duhet të lexohet si një sinjal serioz për të ndryshuar drejtimin e politikave publike. Nëse trendi i pesë viteve të fundit vazhdon, dëmi nuk do të jetë vetëm mjedisor. Ai do të prekë drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve, besueshmërinë e Shqipërisë si destinacion turistik dhe vetë perspektivën e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit

Rruga Press

YouTube player