Lajme

Haxhiu dekreton dorëheqjet e prokurorëve serbë, zyrtarisht nuk ka rikthim

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekretuar të martën dorëheqjet e shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, që ishin dorëhequr më 2022.

Një ditë më parë, Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi tërheqjen e dorëheqjeve nga serbët që u penduan për veprimin e tyre.

Siç ka njoftuar Haxhiu, me dekretin e saj mbyllet procesi. Ajo ka thënë se askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve e as të krijojë paqartësi juridike.

“Pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, kam nënshkruar dekretet për lirimin e tyre nga detyra. Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara. Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj”, ka shkruar ajo.

Lexo më shumë  20 mln euro për mirëmbajtjen/ “Tigrat” e Vlorës vijojnë të ‘gllabërojnë’ buxhetin, KESH hap procedurën e tenderit për TEC-et lundrues

Zyrtarë serbë ishin dorëhequr më 2022, pas shkarkimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili pati refuzuar ta zbatonte vendimin e Qeverisë për ndalimin e targave ilegale serbe.

Për t’iu kundërvënë vendimeve të qeverisë, në 2022-n në Këshillin Gjyqësor ishin dorëzuar 144 dorëheqje, prej të cilave 25 nga gjyqtarët, ndërsa në Këshillin Prokurorial 33 dorëheqje, përfshirë 10 të prokurorëve.

Lexo më shumë  ​Policia mbështeti aksionin për rrënimin e vilave ilegale në Ujman, nuk pati telashe

Ditë më parë, nga KPK-ja dhe KGJK-ja u bë e ditur se nga Prokuroria e Gjykata në Mitrovicë disa serbë kanë tërhequr dorëheqjet e paralajmëruara më herët. Këshilli Prokurorial i Kosovës ka konfirmuar se së fundmi ka pranuar rreth 20 emaile nga prokurorë dhe staf mbështetës nga radhët e komunitetit serb, ndërkaq Këshilli Gjyqësor nuk ka dhënë raport me shifra.

Procesi i integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë në Kosovë ishte nisur me marrëveshjet në Bruksel.

Rruga Press

YouTube player