Lajme

Sondazhi që shpjegon protestat: Shqiptarët duan Evropën; ndihen të sfilitur nga çmimet e larta, emigrimi dhe dobësimi i demokracisë

Sondazhi kombëtar i IRI-t zbulon një shoqëri pothuajse unanime për integrimin në Bashkimin Evropian, por të lodhur nga çmimet, emigrimi dhe dobësimi i demokracisë. Shumica mendojnë se vendi qeveriset për interesat e disa grupeve, ndërsa dy të tretat nuk shohin një të ardhme të mirë për të rinjtë.

Një vend pothuajse unanim në orientimin proeuropian dhe proamerikan, por shumë më i ndarë, i pasigurt dhe i zhgënjyer kur bëhet fjalë për ekonominë, demokracinë, zgjedhjet, të ardhmen e të rinjve dhe mënyrën se si qeveriset Shqipëria.

Kjo është panorama që del nga një prej sondazheve më të plota të viteve të fundit për shoqërinë shqiptare, i realizuar rreth tri javë përpara nisjes së protestave, më 23 maj dhe që, për këtë arsye, ofron një fotografi të rrallë të pakënaqësisë publike përpara se ajo të shpërthente në rrugë.

Studimi u krye nga Instituti Republikan Ndërkombëtar, IRI, një organizatë amerikane që përmes Qendrës së saj për Analizën e Sondazheve studion opinionin publik dhe funksionimin e demokracive në dhjetëra vende. Sondazhi kombëtar u zhvillua nga 9 prilli deri më 3 maj 2026, përmes 1,200 intervistave ballë për ballë në banesat e qytetarëve mbi 18 vjeç, të realizuara me metodën CAPI dhe mbi një kampion të ndërtuar për të qenë përfaqësues sipas rajonit, zonave urbane e rurale, moshës dhe nivelit arsimor. Të dhënat u peshuan sipas Censusit të vitit 2023, norma e përgjigjes ishte 37, ndërsa marzhi maksimal i gabimit për kampionin e plotë është ±3.1%. 

Në pamje të parë, shqiptarët duken më të bashkuar se pothuajse për çdo çështje tjetër politike.

Nëse sot do të organizohej një referendum për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, 96 për qind do të votonin “pro”. Mbështetja është thuajse e njëtrajtshme në të gjitha grupmoshat, në Tiranë, në qytete dhe në zonat rurale. Shtetet e Bashkuara, ndërkohë, konsiderohen nga 68 për qind e të pyeturve si partneri më i rëndësishëm politik i Shqipërisë, përpara Bashkimit Europian, Italisë dhe Gjermanisë. 

Por, pas këtij konsensusi të jashtëzakonshëm për drejtimin ndërkombëtar të vendit, sondazhi i ri kombëtar i Institutit Republikan Ndërkombëtar, IRI, zbulon një realitet shumë më të zymtë në planin e brendshëm: një shoqëri që beson fort te Perëndimi, por që po humbet besimin te mënyra se si po qeveriset Shqipëria.

Për shumë shqiptarë, Europa mbetet premtimi. Shqipëria e përditshme, megjithatë, vazhdon të jetë burimi i ankthit.

Sipas sondazhit, 51 për qind mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar, kundrejt 48 për qind që thonë se po ecën në drejtimin e duhur. Në nëntor 2024, raporti ishte pothuajse i kundërt: 52 për qind besonin se vendi po shkonte në drejtimin e duhur dhe 44 për qind në të gabuarin. 

Ndryshimi mund të duket i moderuar në shifra, por bëhet shumë më i thellë kur përgjigjet ndahen sipas gjendjes ekonomike.

Mes familjeve që thonë se kanë vështirësi të sigurojnë edhe gjërat më elementare për mbijetesë, vetëm 34 për qind mendojnë se Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur, ndërsa 63 për qind thonë të kundërtën. Mes atyre me një gjendje ekonomike më të mirë se mesatarja, 66 për qind e shohin drejtimin e vendit pozitivisht.

Në Shqipërinë që shfaqet nga sondazhi, optimizmi politik është gjithnjë e më shumë një privilegj ekonomik.

Çmimet, jo retorika, në qendër të shqetësimit

Kur qytetarët pyeten spontanisht për dy problemet më të rëndësishme të vendit, përgjigjja dominuese nuk është një konflikt partiak, një krizë diplomatike apo një betejë institucionale.

Është kostoja e jetesës.

Plot 67 për qind përmendin çmimet e larta dhe shtrenjtimin e jetesës si një nga dy problemet më të mëdha të Shqipërisë. Papunësia përmendet nga 35 për qind, ndërsa korrupsioni nga 29 për qind. Më pas vijnë pensionet, shëndetësia, emigrimi dhe siguria publike.

Mes 808 personave që identifikuan koston e jetesës si problem kryesor, 40 për qind veçuan çmimet e ushqimeve. Një tjetër 24 për qind përmendën hendekun mes të ardhurave nga puna dhe kostos së jetesës, ndërsa 12 për qind folën për pamjaftueshmërinë e pensioneve. Dhjetë për qind përmendën çmimin e blerjes ose marrjes me qira të një banese. 

Këto përgjigje sugjerojnë se pakënaqësia nuk buron vetëm nga varfëria në kuptimin tradicional. Ajo lidhet edhe me ndjesinë se puna nuk garanton më siguri, se të ardhurat nuk ndjekin çmimet dhe se një jetë relativisht e qëndrueshme po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u arritur.

Gjatë 12 muajve të fundit, vetëm 25 për qind e shqiptarëve thonë se gjendja ekonomike e familjes së tyre është përmirësuar. Për 44 për qind ajo ka mbetur njësoj, ndërsa 31 për qind deklarojnë se është përkeqësuar.

Kur të pyeturve u kërkohet të zgjedhin prioritetin kryesor të qeverisë, 35 për qind japin përgjigjen e gjerë “ekonomia”. Punësimi dhe pensionet renditen me nga 11 për qind, ndërsa korrupsioni dhe pagat me nga 7 për qind.

Pra, pas çdo debati madhor politik, sondazhi evidenton një shqetësim më të thjeshtë dhe më të prekshëm: mundësinë për të përballuar muajin.

Rënia e besimit te demokracia 

Në vitin 2024, 49 për qind e shqiptarëve deklaronin se ishin shumë ose disi të kënaqur me zhvillimin e demokracisë. Në sondazhin e ri, kjo shifër ka rënë në 40 për qind. 

Përballë tyre, 59 për qind janë disi ose shumë të pakënaqur.

Rënia nuk shpërndahet në mënyrë të barabartë. Vetëm 16 për qind e qytetarëve që jetojnë nën nivelin e mbijetesës janë të kënaqur me zhvillimin demokratik, ndërsa 82 për qind janë të pakënaqur. Në familjet me gjendje më të mirë ekonomike, kënaqësia arrin në 60 për qind. 

Kjo lidhje mes gjendjes ekonomike dhe vlerësimit të demokracisë është një nga temat më domethënëse të sondazhit. Për qytetarët më të varfër, demokracia nuk duket se matet vetëm me zgjedhje, institucione ose liri formale. Ajo matet me rezultatet që prodhon në jetën e përditshme.

Lexo më shumë  Ministri i Bujqësisë viziton fermerët e prekur nga breshëri në Istog dhe komuna të tjera

Edhe më e fortë është përgjigjja ndaj pyetjes se në interes të kujt qeveriset vendi.

Vetëm 31 për qind thonë se Shqipëria qeveriset në interes të shumicës së njerëzve. Dy të tretat, 66 për qind, mendojnë se qeveriset në interes të disa grupeve.

Në Tiranë, perceptimi është edhe më i rëndë: 75 për qind mendojnë se qeverisja u shërben disa grupeve dhe vetëm 24 për qind shumicës. Mes familjeve që kanë vështirësi edhe për nevojat elementare, 81 për qind e shohin shtetin si instrument të interesave të ngushta. 

Kjo nuk është domosdoshmërisht një akuzë e drejtpërdrejtë ndaj një personi apo partie të vetme. Është një gjykim më i gjerë mbi mënyrën se si shpërndahen mundësitë, pasuria dhe ndikimi në Shqipëri.

Qytetarët mund të shohin rrugë të reja, turizëm në rritje ose integrim europian, por një pjesë e madhe e tyre nuk besojnë se përfitimet e zhvillimit u përkasin në mënyrë të barabartë.

Një brez pa të ardhme në vendin e vet 

Një nga shifrat më të rënda të sondazhit lidhet me të rinjtë.

Vetëm 29 për qind e shqiptarëve mendojnë se brezi i sotëm i të rinjve ka një të ardhme të mirë në Shqipëri. Plot 69 për qind mendojnë se nuk e ka.

Në nëntor 2024, 40 për qind shihnin një të ardhme të mirë për të rinjtë. Brenda rreth një viti e gjysmë, optimizmi ka rënë me 11 pikë përqindjeje. 

Mes vetë grupmoshës 18–35 vjeç, 69 për qind nuk shohin një të ardhme të mirë në vend. Përqindja është pothuajse identike edhe mes moshave më të mëdha, një shenjë se pesimizmi për rininë është kthyer në bindje shoqërore dhe jo vetëm në pakënaqësi të një brezi.

Në familjet më të varfra, 86 për qind thonë se të rinjtë nuk kanë të ardhme të mirë në Shqipëri. Mes atyre me gjendje më të mirë se mesatarja, përgjigjet ndahen pothuajse në mes.

Sondazhi e përkthen këtë pesimizëm në një mundësi konkrete largimi.

Pesëdhjetë e gjashtë për qind e të gjithë të pyeturve thonë se, po të kishin mundësi, do të largoheshin jashtë vendit për një periudhë të gjatë, për shembull për të punuar. Mes të rinjve 18–35 vjeç, shifra arrin në 85 për qind: 46 për qind thonë “patjetër po” dhe 39 për qind “ndoshta po”.

Edhe arsimi nuk duket se i lidh njerëzit më fort me vendin. Mes të diplomuarve në universitet, 72 për qind do të largoheshin patjetër ose me gjasë.

Ky është paradoksi i Shqipërisë europiane: qytetarët duan që vendi të hyjë në Bashkimin Europian, por një pjesë e madhe e të rinjve duan të largohen nga vendi përpara se ai proces të përfundojë.

Dyshimet për zgjedhjet 

Sondazhi evidenton një shoqëri që vazhdon të besojë te rëndësia e votës, por ka rezerva serioze për sistemin që e administron atë.

Pesëdhjetë e një për qind thonë se vota u jep njëfarë ndikimi mbi mënyrën se si qeveriset vendi, një rritje nga 40 për qind në vitin 2024. Një tjetër 32 për qind mendojnë se vota nuk e ndryshon shumë qeverisjen, por përsëri është e rëndësishme të votohet. Vetëm 15 për qind thonë se votimi nuk ka shumë rëndësi. 

Por besimi te liria dhe siguria e zgjedhjeve është dobësuar. 

Vetëm 32 për qind thonë se zgjedhjet janë të lira dhe siguria e kutive garantohet, nga 37 për qind në nëntor 2024. Tridhjetë e tetë për qind kanë disa shqetësime, por besojnë se zgjedhjet demokratike mbeten të mundshme. Ndërsa 28 për qind thonë se zgjedhjet nuk janë të lira dhe siguria e votës nuk garantohet — një rritje prej nëntë pikësh nga viti 2024. 

Kur pyeten nëse zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë të lira dhe të ndershme, 55 për qind përgjigjen “patjetër” ose “ndoshta po”. Dyzet e një për qind mendojnë se me gjasë ose patjetër nuk do të jenë të tilla. Në Tiranë, kampet ndahen pothuajse në mënyrë të barabartë: 49 për qind presin zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa 50 për qind jo. 

Edhe vlerësimi për zgjedhjet e vitit 2025 është i përzier. Pesëdhjetë e shtatë për qind mendojnë se rezultatet e shpallura pasqyruan patjetër ose me gjasë vullnetin e qytetarëve, ndërsa 40 për qind mendojnë të kundërtën.

Në Tiranë, vetëm 13 për qind thonë se rezultatet e pasqyruan “patjetër” vullnetin e popullit; 44 për qind thonë “ndoshta po”, ndërsa 41 për qind përgjigjen negativisht.

Shqiptarët, me fjalë të tjera, nuk kanë hequr dorë nga vota. Por një pjesë e konsiderueshme nuk është e bindur se vota e tyre vepron brenda një sistemi plotësisht të drejtë.

Hapësira për partitë e reja 

Mosbesimi ndaj institucioneve tradicionale nuk përkthehet vetëm në apati. Ai po krijon një kërkesë për alternativa. 

Pesëdhjetë e gjashtë për qind pajtohen plotësisht ose pjesërisht me pohimin se zgjedhjet politike në Shqipëri janë tepër të kufizuara dhe se forca të reja duhet të ofrojnë alternativa në të ardhmen. Tridhjetë e nëntë për qind nuk pajtohen. 

Kur të anketuarve u kërkohet të përmendin spontanisht partitë e reja ose më të vogla që fituan vende në zgjedhjet e vitit 2025, Partia Mundësia është më e identifikuara, me 50 për qind. Shqipëria Bëhet përmendet nga 34 për qind dhe Lëvizja Bashkë nga 19 për qind. Dyzet për qind nuk dinë ose refuzojnë të përgjigjen. 

Arsyeja kryesore e votës për partitë e vogla nuk është vetëm protesta.

Tridhjetë e tetë për qind mendojnë se qytetarët i votojnë ato për të sjellë ide dhe njerëz të rinj në debatin politik. Tridhjetë e dy për qind e konsiderojnë votën për to kryesisht si ndëshkim ndaj partive të mëdha, pa pritshmëri të larta për rezultat. Një tjetër 25 për qind besojnë se partitë e vogla mund të rriten dhe përfundimisht të zëvendësojnë forcat e vjetra. 

Lexo më shumë  Al Jazeera: Prej 7 javësh shqiptarët në protestë kundër korrupsionit dhe qeverisë Rama

Por shifra më domethënëse mund të jetë ajo që lidhet me aktivizmin qytetar.

Kur pyeten se çfarë do t’i motivonte të votonin një parti të re, 35 për qind përgjigjen: nëse ajo do të mbronte aktivisht kauzat qytetare. Një në katër shqiptarë thotë se do të votonte një forcë të re gjithsesi, me qëllim ndryshimin e sistemit. Vetëm 15 për qind vendosin si kusht kryesor besimin te drejtuesit e partisë, ndërsa 23 për qind thonë se nuk do të votonin në asnjë rrethanë për një forcë të re. 

Kjo sugjeron se partitë e reja nuk gjykohen vetëm nga programet apo figurat e tyre. Ato gjykohen nga gatishmëria për t’u përfshirë në konfliktet reale të shoqërisë dhe për të përfaqësuar kauza që qytetarët mendojnë se janë braktisur nga politika tradicionale.

SPAK-u dhe një vijë e kuqe për politikën 

Mbështetja për punën e SPAK-ut mbetet një faktor i rëndësishëm politik.

Nëse një kandidat ose parti do të mbështeste ligje që kufizojnë aftësinë e SPAK-ut për të punuar, 58 për qind e qytetarëve thonë se do të kishin më pak gjasa ta votonin atë forcë. Kjo shifër është rritur nga 51 për qind në nëntor 2024. Vetëm 9 për qind do të bëheshin më të prirur për ta mbështetur, ndërsa për 29 për qind nuk do të kishte ndryshim. 

Megjithatë, perceptimi mbi pavarësinë e SPAK-ut është më i ndarë.

Dyzet e katër për qind e konsiderojnë SPAK-un aktor të pavarur, që ndjek korrupsionin pa marrë parasysh partitë, personat apo pasojat politike. Pesëdhjetë për qind mendojnë se SPAK-u nuk ka qenë gjithmonë i pavarur dhe se në disa raste ka shënjestruar zyrtarë për arsye politike ose ka anashkaluar çështje korrupsioni. 

Pra, shqiptarët nuk janë unanimë për mënyrën se si SPAK-u vepron. Por shumica duket se e konsideron kufizimin e tij nga politika si një vijë të kuqe.

Në një vend ku korrupsioni është problemi i tretë më i përmendur dhe 66 për qind mendojnë se qeverisja u shërben disa grupeve, institucioni kundër korrupsionit mbart pritshmëri që shkojnë përtej dosjeve individuale. Ai është kthyer edhe në një test të besimit se njerëzit me pushtet mund t’u nënshtrohen të njëjtave rregulla si qytetarët e zakonshëm.

Një identitet qartësisht perëndimor 

Në politikën e jashtme, kontrastet e brendshme zbehen. Shqipëria e sondazhit është qartësisht dhe pothuajse pa ekuivok pro-perëndimore.

Shtetet e Bashkuara konsiderohen partneri më i rëndësishëm nga 68 për qind, Bashkimi Europian nga 49 për qind, Italia nga 33 për qind dhe Gjermania nga 25 për qind. Kosova përmendet nga 17 për qind dhe Turqia nga 12 për qind. Rusia, Serbia dhe Kina marrin secila vetëm 1 për qind. 

Në anën tjetër, Serbia shihet si kërcënimi më i rëndësishëm politik nga 50 për qind e shqiptarëve dhe Rusia nga 38 për qind. Greqia përmendet nga 5 për qind dhe Kina nga 4 për qind. 

Tetëdhjetë e tre për qind mendojnë se Shqipëria duhet të ndjekë vetëm një kurs pro-Bashkimit Europian dhe Perëndimit në raport me Rusinë. Vetëm 9 për qind mbështesin një kurs pro-perëndimor që ruan gjithashtu marrëdhëniet me Moskën. Mbështetja për një orientim pro-rus është praktikisht e papërfillshme. 

Në raport me Kinën, 62 për qind preferojnë një politikë vetëm pro-perëndimore dhe 29 për qind një orientim perëndimor që ruan marrëdhënie me Pekinin. 

Ky orientim nuk është vetëm diplomatik. Ai duket se është pjesë e identitetit politik të shqiptarëve. Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara nuk shihen thjesht si aleatë të dobishëm, por si pika referimi për të ardhmen që dëshirohet.

Një fotografi e bërë para protestave 

Sondazhi u zhvillua përmes intervistave ballë për ballë në banesat e qytetarëve, nga 9 prilli deri më 3 maj 2026. Kampioni përfshiu 1,200 shtetas shqiptarë mbi 18 vjeç dhe u ndërtua për të qenë përfaqësues në nivel kombëtar. Marzhi i gabimit nuk kalon ±3.1 pikë përqindjeje, ndërsa norma e përgjigjes ishte 37 për qind. 

Koha e mbledhjes së të dhënave është thelbësore për interpretimin e tyre.

Intervistat përfunduan më 3 maj, rreth tri javë përpara nisjes së protestave më 23 maj. Për këtë arsye, rezultatet nuk matin ndikimin e demonstratave dhe as ndryshimet e mundshme të opinionit publik gjatë javëve që pasuan. Vetë raporti i IRI-t paralajmëron se sondazhet janë një “fotografi” e një momenti të caktuar dhe se të dhënat mund të mos pasqyrojnë ndjenjat e tanishme. 

Por pikërisht kjo e bën sondazhin veçanërisht domethënës.

Ai tregon se pakënaqësia ekonomike, pesimizmi për të rinjtë, rënia e kënaqësisë me demokracinë dhe perceptimi se vendi qeveriset për interesa të ngushta ekzistonin përpara se protestat të nisnin. Demonstratat mund t’i kenë sjellë në sipërfaqe këto ndjenja; sondazhi sugjeron se nuk i krijuan ato.

Shqipëria që del nga 102 faqet e raportit nuk është një vend që po i kthen shpinën Perëndimit. Përkundrazi, orientimi europian dhe amerikan duket më i fortë se pothuajse çdo bindje tjetër kolektive.

Problemi është se shumë shqiptarë nuk e shohin ende modelin perëndimor të reflektuar në përvojën e tyre të përditshme.

Ata duan Bashkimin Europian, por nuk janë të kënaqur me demokracinë e tyre. Besojnë te rëndësia e votës, por dyshojnë për zgjedhjet. Mbështesin luftën kundër korrupsionit, por mendojnë se shteti u shërben disa grupeve. Duan që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri, por shumica do të largohej po t’i jepej mundësia.

Në këtë hendek, mes vendit që shqiptarët duan të bëhen dhe vendit në të cilin besojnë se jetojnë, ndodhet ndoshta historia më e rëndësishme politike e këtij sondazhi. Përgatiti ©Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player