Argument

Akt normativ i orës së fundit – Proverbit “leku e çon ujin përpjetë” i shtohet pjesa: ”…dhe e zhyt euron në fund të pusit”

Nga Lutfi Dervishi

Për shkak të zhvillimeve të jashtëzakonshme në tregun valutor, miratohen këto ndryshime në fondin e urtësisë popullore shqiptare:

1. Shprehja “ta bësh tjetrin për një lek” zëvendësohet me “ta bësh për një euro”, sepse një lek nuk e ul më tjetrin aq sa duhet.

2. Kënga “dy dele treqind pare” rititullohet “dy dele gjashtëqind euro”, për t’iu përshtatur realitetit të ri ekonomik.

3. Thënia “jep dhjetë lek e hyn në valle, jep njëqind e nuk del dot” përditësohet në: “jep 20 euro e hyn në valle, jep 200 euro e nuk del dot.”

4. Proverbit “leku e çon ujin përpjetë” i shtohet pjesa: ”…dhe e zhyt euron në fund të pusit.”

Lexo më shumë  Çfarë ndryshoi në 51 ditë protestë?

5. Shprehja “s’vlen asnjë lek” shfuqizohet. Në fuqi hyn formulimi: “s’vlen asnjë euro.”

6. Këshilla “ruaj një lek për ditë të zezë” (black Friday) ndryshohet në: “ruaj një euro, se nuk i dihet lekut.”

7. Në të gjitha tekstet shkollore, fjalia “leku është monedha kombëtare” plotësohet me sqarimin: ”…është monedhë më e fortë se ato të ekonomive shumë më të mëdha.”

8. Shprehja “i ka bërë lekët rrush e kumbulla” përditësohet në “i ka bërë eurot shezlonge e parkim”.

9. Shprehja: “Ka ardhur ditë e keqe, lekun ta kërkosh me qiri” shfuqizohet. Në fuqi hyn: “Ka ardhur ditë e keqe, euron ta sjellësh me kontenier, e prap nuk e përballon lekun”

Lexo më shumë  Çfarë ndryshoi në 51 ditë protestë?

10. Fjalori i ekonomisë përditësohet. Termi “euro e fortë” hiqet përkohësisht nga përdorimi deri në njoftimin e dytë.

11. Për të shmangur keqkuptimet, të gjithë ata që ankohen se pagat nuk u dalin, këshillohen të mos i referohen pagës së tyre, por pagës mesatare, në euro!

Neni i fundit

Këto ndryshime hyjnë në fuqi menjëherë dhe mbeten në fuqi deri në ditën kur euroja të kujtohet se dikur ishte monedhë e fortë.

Rruga Press

YouTube player