Bota

Merz i hapur për një riformatim të qeverisë gjermane

Pas dorëheqjes së Jens Spahnit, kancelari Merz është i hapur edhe për një riformatim të kabinetit qeveritar: “Mund të jetë një mundësi”, tha ai në intervistë për ZDF-në.

Pas dorëheqjes së Jens Spahn nga posti i kreut të grupit parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, kancelari gjerman Friedrich Merz shprehet i hapur për një riformatim të kabinetit të tij qeveritar. I pyetur për këtë mundësi në intervistën verore të ZDF-së, Merz tha, se „mund të jetë një mundësi për të reflektuar edhe një herë mbi përbërjen e qeverisë federale.”

Si kandidat i mundshëm për postin e kreut të grupit parlamentar konsiderohet shefi aktual i kancelarisë federale, Thorsten Frei. Nëse ai do të pasonte Spahnin, Merzit do t’i duhej të emëronte një shef të ri të Kancelarisë. Merz nuk ka dashur ta konfirmojë këtë emërim. Ai tha se nuk e di se kush e ka shpallur Frei-n kandidat kryesor për këtë post dhe se për këtë mundësi po dëgjon për herë të parë.

Lexo më shumë  SHBA nis një valë të re sulmesh ndaj Iranit, Teherani godet dy cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit

Megjithatë, në ditët në vijim pasardhësi ose pasardhësja e Spahnit do të diskutohet në organet drejtuese të partisë. Po përmendet edhe emri i Carsten Linnemannit për postin e Jens Spahn, aktualisht sekretar i përgjithshëm i CDU-së. Linnemann tashmë mban edhe postin e nënkryetarit të grupit parlamentar. Merz thuhet, se vlerëson rolin konstruktiv të Linnemannit në hartimin e programit bazë të CDU-së. Sidomos sepse Linnemann kishte arritur të balanconte dhe të harmonizonte krahët e ndryshëm brenda partisë.

Merz distancohet nga Spahn

Kancelari, Friedrich Merz u distancua nga ish-kreu i grupit parlamentar, CDU/CSU, Jens Spahn. Kur ai i tregoi për atësinë e tij përmes një nëne bartëse në SHBA, gjëja e parë që i shkoi ndër mend ishte që fëmija të ishte mirë, tha ai. Merz kritikon faktin se, Jens Spahn e kishte informuar partinë dhe grupin parlamentar vetëm “shumë, shumë vonë” për të gjitha këto zhvillime.

Lexo më shumë  BE-ja rrit prodhimin e dronëve dhe armëve moderne për Ukrainën, Von der Leyen: Mbështetja jonë do të vazhdojë

“Ne pothuajse nuk patëm mundësi të flisnim me të për këtë çështje. Po të kishim pasur kohë, do ta kishim diskutuar qetësisht dhe me kujdes. Por këtë kohë nuk e patëm”, tha Merz. Me një distancë të dukshme, Merz u shpreh kritik ndaj mënyrës se si Spahn e menaxhoi komunikimin e çështjes: “Unë respektova dëshirën e tij dhe ia lashë atij komunikimin e kësaj teme.” Merz tha, se iu bë “krejtësisht e qartë” vetëm gjatë fundjavës, se sa i madh ishte dëmi që sjellja e Spahnit i kishte shkaktuar besueshmërisë së Unionit (CDU/CSU). “Dhe pikërisht për këtë arsye ne vepruam,” tha Merz./DW

Rruga Press

YouTube player