Lajme

Paunoviqi ka kompetenca “ta zvogëlojë” numrin e shqiptarëve në Luginë, thotë Kamberi

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se qëndrimet e ministres serbe Snezhana Paunoviq kanë shkaktuar shqetësim dhe ndjenjë pasigurie te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Sipas Kamberit, edhe pse Paunoviq nuk ka kompetenca për të ndërmarrë veprime në Kosovë, pozita institucionale e saj, që mbulon fusha që lidhen me administratën publike dhe regjistrat qytetarë e zgjedhorë, rrit shqetësimet te shqiptarët në Luginën e Preshevës. 

Ai ka paralajmëruar se çdo politikë që mund të ndikojë në statusin e qytetarëve apo në përbërjen demografike të zonës do të shihej si kërcënim serioz.

“Nëse ambicia e saj është të shpërngulë dy milionë shqiptarë të Kosovës, ajo si ministre e pushtetit lokal, e cila mbikëqyr regjistrat zgjedhorë, e cila statusin e qytetarëve e mbikëqyr atje në ministrinë e saj, e ka më lehtë politikën e saj të spastrimit etnik ta zbatojë në Luginë të Preshevës. Kur vjen nga një ministre, përgjegjëse për shumë të drejtat qytetare, nga një qeveri e cila hesht, nga presidenti i cili mundohet të relativizojë deklaratën e saj dhe nga kryetari i Partisë Socialiste që njëkohësisht është edhe zëvendëskryeministër edhe ministër i Punëve të Brendshme, vendi për frikë është i realshëm”, ka thënë Kamberi.

Lexo më shumë  Protestat/ Qeveria tërhiqet nga ligji që i hapi rrugë projektit të Zvërnecit

Kamberi ka thënë se ndonëse kërcënimet ndaj Kosovës janë vetëm imagjinare, në Luginë të Preshevës ka kompetenca të bëjë veprime që mund ta zvogëlojë numrin e shqiptarëve.

“Është deklaratë që nxit shqetësime, por ne nuk do të dorëzohemi para çfarëdo kërcënimi që mund të vijë nga Beogradi, qoftë ai i vërtetë apo imagjinar. Sepse kërcënimet e saj ndaj Kosovës janë vetëm imagjinare, Luginën e Preshevës ka kompetenca për të bërë veprime antinjerëzore, anticivilizuese, dhe që mund të çojnë në zvogëlimin e numrit të shqiptarëve. Por kjo nuk do të thotë se ne, pavarësisht deklaratave që vijnë nga Beogradi, do të dorëzohemi”, ka thënë Kamberi për KosovaPress.

Lexo më shumë  Kapitalizmi shqiptar, manuali që hedh poshtë ligjet e ekonomisë

Paraditen e së enjtes, Kamberi, ka njoftuar se është dorëzuar kërkesa për shkarkimin e ministres serbe Snezhana Paunoviq. Ai po ashtu bëri të ditur se këtë iniciativë e kanë mbështetur në total 53 deputetë të opozitës.

Paunoviq gjatë një emisioni deklaroi se po të ishte në vend të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Rruga Press

YouTube player