Propaganda nuk funksionon në mënyrë efikase nëse tërë kohën gënjeni dhe shpifni, siç bëjnë shumë nga mediumet dhe gazetarët shqiptar, siç janë buzhala&Co
Shkruan Ali Mehmeti
Propaganda nuk funksionon në mënyrë efikase nëse tërë kohën gënjeni dhe shpifni, siç bëjnë shumë nga mediumet dhe gazetarët shqiptar, siç janë buzhala&Co. Propaganda efikase është ajo kur në mesin e disa të vërtetave, mundësisht të pakontestueshme, futni edhe një gënjeshtër apo gjysmë të vërtet. Kështu e maskuar, në mesin e të vërtetave, gënjeshtra bëhet e besueshme për lexuesin apo dëgjuesin pamjaftueshëm të informuar apo/edhe të vëmendshëm.
Më parë qëllimisht sesa nga rastësia, kjo teori u zbatua sot nga analisti i përjavshëm nga Tirana Mentor Nazarko. I ftuar në TopChannel për të diskutuar rreth deklaratës të ministres çetnike në Qeverinë e Vuçiqit e cila tha se ”Nëse do isha në vend të Millosheviqit do e bëja spastrimin etnik në Kosovë në vitin 1998”!
Në mesin e shumë të vërtetave se kjo ishte një deklaratë skandaloze, kundër vlerave evropiane, se nuk i kontribuon dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi as fqinjësisë së mirë, distancimit të vakët nga Ana Bërnabiq (kryetares së Kuvendit të Serbisë), edhe pse ajo këtë distancim e shfrytëzoi për të akuzuar shqiptarët për pastrim etnik të serbëve nga Kosova, e të tjera, e të tjera, Nazarko u mundua që deklaratën e saj ta vendos në kontekstin e zgjedhjeve që po afrohen në Serbi dhe kështu ta relativizon. Sikur nuk e di, se deklarata e saj përputhet me politikën e të gjithë estabilishmentit serb të të gjitha kohërave, që dëshmohet me programe politike dhe ngjarjet historike.
Madje shkoi edhe një hap më larg, duke thënë, kalimthi sikur nuk dua ta them, por edhe vendimin e Ministrit të MPB Xhelal Sveçla, për të shpallur ministren në fjalë për person të padëshirueshëm në Kosovë, sikur përgatitje për zgjedhjet e radhës në Kosovë! Ky, sikur e ditka që do bëhen zgjedhjet e reja?!
Ajo që i mungoi këtij analisti, dhe jo vetëm, ta kap momentin kur ajo thotë “do e bëja pastrim etnik”, pra, sikur ai nuk kishte ndodhur, sepse një milion të dëbuar nga më pak se dy milion gjithsej, nuk ishte pastrim etnik, i cili megjithatë dështoi.
Apo momenti i dytë, kur ajo kërcënon hapur Kosovën dhe shqiptarët, duke thënë se “asnjë okupim nuk ka zgjatur përgjithmonë, nuk do zgjas as ky”! Natyrisht, nënkuptonte se Kosova është e okupuar nga NATO (lexo ShBA-ve)!
Dhe në pikën e fundit, shikuar nga ana e shqiptarëve, mund të jetë mësim, sepse shumë nga ata mendojnë se do na mbroj Amerika! Sigurisht që po na mbron dhe do na mbroj, por asnjë perandori nuk ka zgjatur përgjithmonë, as ajo Romake apo ajo Osmane. Pse pra mendoni apo besoni se ajo amerikane do zgjas përgjithmonë?!
Me fjalë tjera, siguria afatgjatë e trojeve shqiptare, edhe pse të përgjysmuara, garantohet vetëm nga fuqia ushtarake e mjaftueshme në raport me Serbinë dhe nga aleancat ndërkombëtare, respektivisht nga aftësia jonë që interesat tona ti ingranojmë brenda interesave të të mëdhenjve.
Rruga Press

