Kolona zanore e filmit të ri “Odisea” u frymëzua nga polifonia shqiptare! Kompozitori regjistroi barinjtë e Jugut në orën 4 të mëngjesit
Një pjesë e shpirtit shqiptar do të dëgjohet në një nga filmat më të shumëpritur të viteve të fundit. Kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, ka zbuluar se kolona zanore e filmit “Odisea” të regjisorit Christopher Nolan është ndërtuar edhe mbi tingujt autentikë të iso-polifonisë shqiptare, një nga traditat më të lashta muzikore të Ballkanit.
Në kërkim të një identiteti të veçantë muzikor për adaptimin e poemës epike të Homerit, Göransson udhëtoi në jug të Shqipërisë, ku kaloi një javë duke regjistruar këngë iso-polifonike – një formë e lashtë e këndimit që, sipas tij, nuk ishte përdorur kurrë më parë në një film të këtyre përmasave.
Por udhëtimi nuk përfundoi me kaq.
Kompozitori regjistroi edhe tingujt e fyellit të barinjve shqiptarë, një instrument që vazhdon të shoqërojë jetën në malet e Jugut prej mijëra vitesh. Për ta kapur këtë atmosferë autentike, ekipi i filmit duhej të zgjohej në orët e para të agimit.
“Duhej t’i përfundonim regjistrimet deri në orën 6 të mëngjesit, sepse ata ngriheshin në orën 4 për t’u kujdesur për delet,” rrëfen Göransson.
Ky detaj tregon përkushtimin e jashtëzakonshëm të ekipit krijues për të sjellë në ekran jo vetëm një histori të lashtë, por edhe tinguj të vërtetë, të paprekur nga koha.
Edhe vetë Christopher Nolan ka shpjeguar se synimi i tij ishte ta rrëfente “Odisean” ndryshe nga çdo adaptim i mëparshëm. Sipas regjisorit, sfida ishte të rikthente në jetë një histori që ka formësuar kulturën botërore për afro tre mijë vjet, duke i dhënë asaj një identitet të ri artistik.
Për Shqipërinë, ky është një moment me vlerë të veçantë kulturore. Një traditë shekullore si iso-polifonia e Jugut, e trashëguar brez pas brezi dhe e lidhur ngushtë me jetën e komuniteteve shqiptare, bëhet pjesë e kolonës zanore të një prej prodhimeve më ambicioze të Hollywood-it, duke çuar jehonën e saj nga malet shqiptare drejt kinemave në mbarë botën.
Rruga Press

