Gjermania kundërshton kritikat e Trump-it për shpenzimet e mbrojtjes
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka mbrojtur buxhetin e mbrojtjes së vendit, duke kundërshtuar kritikat e reja të presidentit amerikan Donald Trump, në prag të samitit dyditor të NATO-s që nis sot në Ankara.
Në një intervistë për radion gjermane “Deutschlandfunk“, Wadephul deklaroi se shpenzimet e Gjermanisë për mbrojtjen janë në rritje dhe se vendi është në rrugën e duhur për të përmbushur objektivin e ri të NATO-s.
Sipas marrëveshjes së arritur nga aleatët vitin e kaluar, vendet anëtare janë angazhuar të rrisin shpenzimet bazë për mbrojtjen nga 2% në 3,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.Ministri gjerman tha se Berlini synon ta arrijë këtë nivel përpara fundit të dekadës.
“Ne po shpenzojmë më shumë se shumë prej partnerëve tanë. Ajo që po bën Gjermania po vërehet edhe në Uashington”, theksoi Wadephul.
Megjithatë, Trump ka vijuar të ushtrojë presion mbi aleatët e NATO-s për rritjen e kontributeve të tyre ushtarake, duke i cilësuar shpenzimet aktuale të disa vendeve si “qesharake” dhe duke përmendur veçanërisht Gjermaninë vetëm pak ditë para nisjes së samitit.
Rruga Press

