Projektligji për pronat bujqësore që u shiten të huajve
Shkruan Endri Tafani
Shteti shqiptar ka në pronësi 125.000 hektarë tokë bujqësore. Me një çmim minimal 1 euro/m2 ato vlejnë 1,25 miliardë euro. Për koincidencë 1,25 miliardë euro është fatura që duhet t’u paguhet ish-pronarëve për kompensim nga e cila deri më sot, në 35 vite demokraci nuk iu është dhënë as 7% e asaj që u takon (80 milionë euro deri më sot në gjithë këto vite).
Përpara se shteti të bëjë ligje për t’ua dhënë këtë tokë të huajve, bën mirë që këtë tokë tua japë shqiptarëve për kompensim se iu takon me të drejtë. Në 35 vite me breza të tërë u kanë ngelur letrat në dorë dhe janë tallur dhe zvarritur çështja nga shteti shqiptar me justifikimin se “nuk ka lekë buxheti”, apo me justifikimin në Strasburg se “jemi vend i varfër nuk e paguajmë dot si faturë”.
E vërteta është që me fondin e tokave bujqësore në pronësi të shtetit shqiptar fatura jo vetëm që mund të paguhet e plotë, por mund të paguhet menjëherë.
Mjafton t’u jepen tokat bujqësore në pronësi shtetërore. Në këtë mënyrë, e para vihet e drejta në vend, e menjëhershme dhe e plotë dhe e dyta, nuk krijohen kosto shtesë për shqiptarët e tjerë që nuk përfitojnë kompensim, por duhet të paguajnë faturën e kompensimit financiar për ish-pronarët nga taksat që vihen mbi ta.
Vetëm pasi të zgjidhet kjo padrejtësi mund të mendohet se ç’mund të bëhet me tokat që ngelen pasi çmimi 1 eur/m2 I thënë më sipër është minimal dhe në të vërtetë toka bujqësore bën shumë më shtrenjtë sidomos pranë qyteteve dhe kur ka mundësi për turizëm.
Gjithashtu toka nuk duhet të shitet tek personat që nuk kanë shtetësinë shqiptare apo që nuk janë rezidentë ligjorë në Shqipëri. Jemi territor shumë i vogël. Nga shifrat me sipër kuptohet që është e lehtë për miliarderët të blejnë gjithë tokën shqiptare. Nuk duhet të jemi të huaj në vendin tonë. Kush do të blejë toke dhe nuk është shtetas shqiptar duhet të vijë te jetoje dhe punojë në Shqipëri. Me humbjen e rezidencës humb dhe tokën. Duhet ta shesë para se të largohet tek shtetasit shqiptarë apo rezidentët në Shqipëri ose përndryshe ia vë shteti në ankand.
Nuk ka asgjë në kundërshtim me politikat e BE per sa më sipër. Ka vende në BE si Polonia apo Danimarka që e lidhin shitblerjen e tokës bujqësore me rezidencën.
Prioriteti i shtetit shqiptar duhet të jenë shtetasit shqiptarë dhe ata që jetojnë e punojnë ligjërisht në Shqipëri.
Rruga Press

