“Të korruptuar të Ballkanit: bashkohuni!”, Qoku: Ali Ahmeti Shqipërinë e identifikon vetëm me një individ të vetëm
Shkruan Bekim Qoku
Pohimi i Ali Ahmetit se “Shqipëria e ka ndihmuar Kosovën gjatë luftës së 1999, na ka ndihmuar edhe neve, prandaj edhe ne duhet ta ndihmojmë”, përmban dy gabime thelbësore:
I pari: Shqipërinë e identifikon vetëm me një individ të vetëm, për të mos thënë me një parti, sepse atje partia shpesh është reduktuar në një individ. Rrjedhtimisht ndihmë ndaj Shqipërisë e quan vetëm ndihmë ndaj një personi.
I dyti: Shqipërinë e trajton si një shtet e komb të huaj, ndaj të cilit paskemi një borxh historik për një ndihmë të dhënë dikur.
Por pse Ali Ahmeti e anatemon dhe e stigmatizon idenë e Shqipërisë së Re?
Sepse Shqipëria e Re nënkupton përmbysjen e kastës e vjetër e të korruptuar politike, e cila për 22 vjet me radhë e ka mbajtur gjallë Ali Ahmetin dhe shokët e tij. Ka mbajtur gjallë një konjukturë skajshmërisht të korruptuar, e cila pushtetin e ka përdorur për të rehatuar oligarkinë, ndërsa oligarkia, nga ana tjetër, ka rehatuar po të njëjtën konjukturë politike.
Shkurt: duke stigmatizuar protestën dhe protestuesit, Ali Ahmeti po sillet si njëra dorë që lan tjetrën.
Të korruptuar të Ballkanit: bashkohuni!
Rruga Press

