KryesoreOpinion/Aktualitet

Protesta është politike, problemi është se kemi harruar çfarë do të thotë politikë

Shkruan Lutfi Dervishi

Nëse ka një marrëzi që po përhapet me shpejtësi këto tri javë, është pyetja: “A është protesta politike?” Apo, akoma më absurd, versioni: “Protesta nuk duhet të jetë politike”.

Kushdo që e thotë këtë, ose nuk ia ka idenë kuptimit të fjalës, ose po përpiqet qëllimisht ta zhvlerësojë protesten pa hyrë në thelbin e saj.

Në zanafillën e saj, politika vjen nga greqishtja e vjetër: polis – qyteti. Ajo nuk nënkuptonte parti, militantizëm apo propagandë, por angazhimin për punët e qytetit dhe mënyrën se si qeveriset bashkësia.

Në këtë këndvështrim, protesta është politikë në formën e saj më të plotë e më të pastër.

Kur qytetarët dalin në rrugë për të kundërshtuar një vendim publik, për të kërkuar transparencë, llogaridhënie apo NDRYSHIM, ata po bëjnë pikërisht atë që bëhej në qytet-shtetet greke: po marrin në dorë punët e qytetit.

Prandaj, të flasësh për “protestë apolitike” është nonsens. Ka protesta partiake, protesta sindikale dhe protesta qytetare; organizime që nisen nga selitë e partive, lëvizje që mbrojnë të drejtat e punës dhe revolta që lindin organikisht nga barku i shoqërisë. Por protestë apolitike nuk ka. Vetë akti i daljes në shesh është një deklaratë politike.

Lexo më shumë  Parlamenti Evropian miraton raportin për Kosovën: Mbështetje aplikimit për anëtarësim në BE, thirrje për shtetet mosnjohëse që ta njohin Kosovën, mbështetje bashkëpunimit në mbrojtje mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë

Paradoksi është se shumë prej atyre që e etiketojnë protestën si “politike”, e përdorin këtë fjalë si sharje, a thua sikur politika është detyrimisht diçka e pistë. Por e vërteta është krejt tjetër: politika ka për motiv dhe funksion interesin publik. Përkundrazi, qeveria dhe “politika e vjetër” e kanë zvetënuar këtë kuptim, duke i reduktuar partitë dhe institucionet në funksione të mirëfillta SHPK-sh, ku motivi i vetëm është interesi privat. Në këtë mjedis të privatizuar, kjo protestë mbetet ndoshta e vetmja ngjarje mirëfilli politike.

Edhe më keq paraqiten ata që predikojnë se protesta “nuk duhet të jetë politike”. Në thelb, ata po kërkojnë që qytetarët të mos merren me punët publike; që njerëzit të heshtin, të shohin punën e tyre dhe t’ua lënë në dorë të tjerëve vendimet që u prekin jetën.

Protesta më e madhe në Shqipëri pas Dhjetorit ’90 meriton diçka më shumë se etiketat vulgare. Meriton respekt. Nuk mund të fyesh inteligjencën e një populli duke folur për “agjentura”, duke shpërfillur e tallur apo duke e reduktuar gjithçka në një banalitet betejash mes partish.

Këto zëra thjesht refuzojnë të pranojnë se ekziston një gjë që quhet pakënaqësi e sinqertë qytetare.

Megjithatë, protestën nuk e fyejnë ata që e shajnë. Përkundrazi. Atë e fyen heshtja e atyre akademikëve, profesorëve, pedagogëve, e një pjese të mediave dhe e shoqërisë civile.

Lexo më shumë  Mbi 120 akademikë shqiptarë firmosin deklaratë në mbështetje të protestave qytetare

E fyejnë ata që në kohë me diell mbajnë leksione për demokracinë, pjesëmarrjen dhe angazhimin publik, por në momentin kur mijëra qytetarë mbushin sheshet, zgjedhin të fshehin kokën në rërë si struci. Kanë frikë?!

Nuk është detyrim të jesh dakord me protestën, e as të marrësh pjesë në të, por është detyrim intelektual të pranosh realitetin.

Dhe realiteti është ky: kur mijëra njerëz protestojnë për javë të tëra, pa liderë, pa pagesë, pa patronazhim dhe pa asnjë lloj detyrimi, nuk kemi të bëjmë më me një kronikë të rëndomtë, por me një ngjarje politike në kuptimin më të plotë të fjalës.

Qytetari nuk është thjesht konsumues i politikës, por është burimi i saj. Demokracia lindi kur njerëzit dolën nga shtëpitë dhe u mblodhën në Agora për të diskutuar e vendosur mbi fatin e përbashkët. Prandaj politika nuk fillon te partitë, por te qytetari. Dhe fillon pikërisht në çastin kur ai refuzon të heshtë.

YouTube player