Bota

Mali i Zi i reagon akuzave të Vuçiqit se zhvillohet luftë hibride kundër Serbisë: Këto deklarata dëshmojnë mungesën e gatishmërisë për ta pranuar Malin e Zi si shtet sovran dhe të barabartë

Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i përshkroi si të pabazuara akuzat se Podgorica zhvillon luftë hibride kundër Serbisë, duke vlerësuar se deklaratat e tilla pasqyrojnë mungesën e gatishmërisë së një pjese të strukturave politike në Beograd për ta pranuar Malin e Zi si shtet sovran.

Reagimi erdhi pas pretendimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Mali i Zi dhe mediat e tij marrin pjesë në veprime hibride kundër Serbisë.

Përmes një deklarate të postuar në platformën X, ministria malazeze vlerësoi se deklaratat e shpeshta nga shteti fqinj dëshmojnë mungesën e gatishmërisë së një pjese të strukturave politike për ta pranuar Malin e Zi si një shtet sovran dhe të barabartë, e jo si një hapësirë që duhet t’u rikthehet qendrave të imagjinuara politike.

Lexo më shumë  BE vendos kushte për Teheranin - Von der Leyen: Nuk ka heqje sanksionesh pa ndryshim të sjelljes së Iranit

Ajo shtoi se deklaratat e tilla, zakonisht, intensifikohen sa herë që Mali i Zi bën hapa para në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe kur afrohen zgjedhjet.

“Ia lëmë publikut të vlerësojë nëse deklaratat e tilla duhen parë si hyrje në fushata të reja dezinformimi dhe presionesh politike, apo si përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problemet që nuk kanë asnjë lidhje me Malin e Zi”, thuhet në deklaratë.

Lexo më shumë  Ursula von der Leyen mirëpret marrëveshjen SHBA–Iran

Ministria malazeze rikujtoi se vendimi për rikthimin e pavarësisë së Malit të Zi është përfundimtar, demokratik dhe i verifikuar ndërkombëtarisht në referendum, dhe shtoi se Mali i Zi dëshiron marrëdhëniet më të mira të mundshme me të gjithë fqinjët, përfshirë Serbinë.

Megjithatë, ajo theksoi se marrëdhëniet e tilla mund të ndërtohen vetëm mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe pranimit të realitetit, duke i hedhur poshtë pretendimet se Mali i Zi i ka marrë territor kujtdo.

Rruga Press

YouTube player