KryesoreLajme

Paratë e drogës në Zvërnec dhe kullat e Tiranës, SPAK godet Artur Shehun dhe Ilir Shtufin

SPAK i ka dhënë goditje një nga shtyllave të modelit Rama në qeverisje, ndërtimit me paratë e drogës dhe të korrupsionit, lidhjet nisin nga Zvërneci por shkojnë deri në qendër të Tiranës

SPAK ka plasur një hetim bombë që ngre dyshime të forta për projektin e miqve të Jared Kushner në Zvërnec dhe për disa nga kullat më të larta të Tiranës. Dyshimet janë se financimi i këtyre projekteve gjigande e ka gjenezën tek paratë e trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine. Emrat e goditur janë të famshëm për pasuritë e mëdha, për lidhjet me politikën dhe për influencën në botën e krimit. Mësohet se urdhër-arresti është firmosur për Artur Shehun, emër i njohur në Vlorë jo vetëm për bëmat e 1997, por edhe për pasuritë e mëdha që arriti të grumbullojë në Zvërnec, duke u lidhur më pas me investitorët e huaj, miq të Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump. Një tjetër urdhër-arresti është firmosur për Ilir Shtufin, biznesmen i ndërtimit, me lidhje të forta politike, por edhe i njohur së fundmi për projektin e Malit të Tiranës, kullës në qendër të kryeqytetit.

Burime të pakonfirmuara thonë se materialet që kanë ardhur nga agjencitë e huaja në SPAK, i kanë orientuar prokurorët drejt bllokimit të qindra miliona eurove, përfshirë paratë që vëllezërit sirianë AlKhajat derdhën në llogaritë e kompanive që kishin pronësinë e tokave në Zvërnec, po ashtu janë sekuestruar biznese dhe shuma të mëdha parash në biznesmenët e Tiranës që dyshohet se janë të lidhur me trafikantët e drogës.

Ajo që bie në sy është se për herë të parë bëhen bashkë në një dosje hetimore çështja e tokave të Zvërnecit me disa nga ndërtuesit më të mëdhenj të Tiranës dhe paratë që dyshohet se burojnë nga trafiku ndërkombëtar i narkotikëve.

Në qendër të kësaj historie ndodhet Artur Shehu, ndaj të cilit SPAK ka firmosur masën e sigurisë “arrest me burg”. Shehu ndodhet prej më shumë se dy dekadash në Shtetet e Bashkuara, ku jeton pasi u largua nga Shqipëria në fund të viteve ’90 dhe përfitoi azil politik. Emri i tij është shfaqur vazhdimisht në investigime vendase dhe ndërkombëtare për çështjet e pronave në zonën e Vlorës, Nartës dhe Zvërnecit, ndërsa së fundmi ai u shfaq në Opinion me pretendimin se tokat i kishte trashëguar nga të parët e tij.

Lexo më shumë  Gjermania vazhdon mandatin në KFOR-in e Kosovës

Kjo është hera e parë që Shehu përfshihet në një hetim të SPAK që nuk lidhet drejtpërdrejt me pronësinë e tokave, por me dyshime për pastrim parash në kuadër të një organizate kriminale që sipas prokurorisë merrej me trafik droge. Rëndësia e emrit të tij lidhet me faktin se ai konsiderohet njeriu që kontrollon sipërfaqet më të mëdha të tokës në zonën ku është projektuar resorti luksoz i promovuar nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump.

Në të njëjtën dosje, SPAK ka vendosur sekuestro mbi rreth 138 milionë euro të depozituara në llogaritë e noteres Amela Muka, para që lidhen me transaksionet e kompanisë Albanian Land Development, një nga subjektet që ka luajtur rol në blerjen dhe konsolidimin e pronave për projektin e Zvërnecit. Këto janw paratw e pwrfituara nga investitorwt sirianw, vwllezwrit AlKhajat tw afruar nw Shqipwri nwpwrmjet miqwsisw me Jared Kushner. Për herë të parë, hetimi penal prek jo vetëm debatet mbi origjinën e pronave, por edhe qarkullimin e fondeve që qëndrojnë pas projektit. Pwr paratw e tyre, mw herwt kishte dalw garant kryeministri Edi Rama, qw i bwri thirrje SPAK se mund tw vazhdonte me hetimet pwr shitwsit e tokave, por paratw e investitorwve ishin tw pastra.

Por dosja nuk ndalet në bregdet.

Një tjetër emër për të cilin SPAK ka lëshuar urdhër arresti është Ilir Shtufi, një nga biznesmenët më të njohur të sektorit të ndërtimit. Shtufi lidhet me grupin e kompanive që kanë përfituar ndër numrat më të lartë të lejeve të ndërtimit për kulla dhe komplekse rezidenciale në Tiranë. Nova Construction Group, Ferro Beton & Construction CO, Devealb Construction dhe M.C Inerte rezultojnë të kenë marrë leje për qindra mijëra metra katrorë ndërtim, ndërsa emri i tij lidhet edhe me projektin e kullës “Mali i Tiranës”, një nga godinat më ambicioze të planifikuara në kryeqytet.

Në pamje të parë duket e vështirë të gjesh një lidhje mes një personi që kontrollon toka në Zvërnec dhe një ndërtuesi kullash në Tiranë. Dyshimet janë se lidhja mes tyre është ajo e trafikantëve të drogës.

Lexo më shumë  Zbulohet mesazhi i serbëve që sulmuan KFOR-in në Zveçan: Duhet ta mbajnë mend këtë ditë. Sulmojmë NATO-n

Pjesë e dosjes janë vëllezërit Artur dhe Luçiano Koçeku, të dyshuar si drejtues të një rrjeti të trafikut të drogës. Hetuesit dyshojnë se fitimet e krijuara nga aktiviteti kriminal, përfshirë trafikimin e kokainës nga Amerika Latine, janë futur më pas në ekonominë formale përmes investimeve në prona, ndërtim dhe zhvillim. Pikërisht ky dyshim duket se bashkon në të njëjtën dosje emra që deri dje dukeshin të shkëputur nga njëri-tjetri.

Në këtë kuadër duhet parë edhe përfshirja e Orest Sotës, i arrestuar në operacion, si dhe e disa biznesmenëve të tjerë që sipas SPAK dyshohet se kanë luajtur role të ndryshme në qarkullimin dhe investimin e parave të organizatës kriminale.

Megjithatë, prokuroria deri tani është treguar e rezervuar. Materialet e plota hetimore nuk janë bërë ende publike dhe lidhjet mes personave, kompanive dhe transaksioneve mbeten në nivel dyshimi penal.

Ajo që mund të thuhet me siguri është se operacioni prek disa nga sektorët që kanë dominuar ekonominë shqiptare gjatë dekadës së fundit: zhvillimin e bregdetit, tregun e pronave dhe boom-in e ndërtimeve në Tiranë. është ende herët për të folur, por duket se prokurorët e SPAK po i shtyjnë nga jashtë për të hetuar një nga shtyllat kryesore të modelit të qeverisjes së Shqipërisë në dekadën e fundit, investimet ku qarkullojnë para që nuk vijnë nga ekonomia reale, por nga aktiviteti kriminal ndërkombëtar.

Emrat e raportuar deri tani për të cilët janë firmosur masa sigurie:

Artur Shehu
Ilir Shtufi

Artur Koçeku
Luçiano (Tur) Koçeku
Orest Sota
Edmond Jaupi
Orges Birçaj
Baftri Troci
Gëzim Islami
Dritan Aga


(Kjo listë është paraprake dhe duhet plotësuar sapo SPAK të publikojë njoftimin zyrtar me të 20 masat e sigurisë.)/Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player