Lajme

Policia e Kosovës jep detaje për arrestimin e një personi në Graçanicë, ryshfet lidhur me zgjedhjet për Listën Serbe

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, pas një aksioni të realizuar në Graçanicë.

Sipas njoftimit zyrtar, më 4 qershor 2026, rreth orës 19:30, policia ka pranuar informacione se një person ishte i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme që lidhen me procesin zgjedhor.

Hetimet kanë zbuluar dyshime se i arrestuari, mashkull i nacionalitetit serb, kishte ftuar qytetarë në një lokal në fshatin Uglarë të Graçanicës, ku dyshohet se i udhëzonte se si të votonin për subjektin politik Lista Srpska dhe kandidatët e saj.

Lexo më shumë  20 mln euro për mirëmbajtjen/ “Tigrat” e Vlorës vijojnë të ‘gllabërojnë’ buxhetin, KESH hap procedurën e tenderit për TEC-et lundrues

Sipas policisë, në këmbim të votës, qytetarëve u ishte premtuar se do të përfitonin pensione sociale nga shteti i Serbisë.

Njësitë relevante policore kanë kryer kontroll në lokalin ku dyshohet se zhvilloheshin këto aktivitete, si dhe në shtëpinë e të dyshuarit. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar dëshmi materiale që lidhen me rastin.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

Lexo më shumë  Shteti në duart e Belinda Ballukut, pas dështimit për t’u bërë gjyqtare, motra e saj pritet të emërohet në krye të ASD-së

Policia e Kosovës ka bërë thirrje që qytetarët të mos bien pre e manipulimeve dhe të raportojnë çdo parregullsi apo veprim të kundërligjshëm që lidhet me procesin zgjedhor.

Rruga Press

YouTube player