Rashiqi për Vuçiqin dhe Radoiçiqin: Mosreagimi i presidentit serb tregon sa të ndërlidhur janë
Ministri për Komunitete dhe Kthim i Kosovës, Nenad Rashiq, duke komentuar në “Përballje Podcast” për rolin e Beogradit në zhvillimet politike te komuniteti serb në Kosovë, ka përmendur edhe aspektin financiar që po përdoret për të intimiduar serbët në Kosovë që nuk e përkrahin Listën Serbe.
Ai ka folur edhe për raportin mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe Milan Radoiçiqit.
“Aty do të përdoren të gjitha mjetet zyrtare dhe jo zyrtare, dhe ju e dini kush e udhëheq krejt këtë proces dhe nga vijnë krejt këto financa…”, ka shtuar Rashiq.
Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe dhe përgjegjësi kryesor për sulmin në Banjskë.
Gjatë diskutimit për presionin ndaj serbëve që nuk mbështesin Listën Serbe, Rashiq tha se heshtja dhe mungesa e reagimit nga Vuçiqi për situatën e largimeve dhe presioneve të serbëve në Kosovë tregon shumë për raportin mes tyre.
“Mosreagimi i Vuçiqit, çka tregon? Tregon se sa të ndërlidhur janë ata dy persona”, deklaroi Rashiq.
Ai tha se në rrethana të tilla, mungesa e reagimit të qartë nga Beogradi, por edhe nga Bashkimi Evropian dhe shtete të ndryshme evropiane, e bën edhe më të vështirë situatën për serbët që mendojnë ndryshe në Kosovë.
“Kur nuk keni as reagim, as ndonjë formë të qartë nga Bashkimi Evropian apo shtetet e ndryshme të Bashkimit Evropian, as edhe një letër apo thirrje që procesi zgjedhor të jetë i lirë dhe të mos interferohet, atëherë ju e kuptoni me çfarë fuqie të madhe po ballafaqoheni”, tha ai.
Rashiq shtoi se përballë një presioni të tillë nuk ka shumë opsione, por sipas tij, ai nuk do të tërhiqet nga parimet e tij politike.
“Cilin opsion e kam? Nuk kam prapa. Unë po vazhdoj për shkak të parimeve të mia, të cilat i kam zhvilluar gjatë 20 viteve të fundit”, u shpreh Rashiq.
Ai theksoi se toleranca dhe bashkëjetesa janë e vetmja rrugë për të ardhmen e komuniteteve në Kosovë.
“Toleranca dhe bashkëjetesa janë e vetmja mënyrë, nuk ka mënyrë tjetër”, deklaroi ai.
Sipas Rashiqit, problemi qëndron te qasja e Beogradit ndaj zërave serbë që mendojnë ndryshe nga Lista Serbe dhe politika zyrtare e Serbisë.
“Tash vjen një radikal ekstrem, një diktator, i cili konsideron se kushdo që mendon ndryshe duhet të përfundojë”, tha Rashiq.
Rashiq tha se presioni ndaj tij dhe partisë së tij është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të ruajtur kontrollin politik mbi komunitetin serb në Kosovë dhe për të mos lejuar pluralizëm brenda këtij komuniteti.
Rruga Press

