ArgumentKryesore

Sot protestohet për gardhin, dje u hesht për ligjin

Shkruan Ambrozia Meta

Revolta e drejtë, por e vonuar

Dje, papritur, opinioni publik në Shqipëri u zgjua nga gjumi i thellë dhe u kujtua se në këtë vend po shkatërrohen zonat e mbrojtura. Në fakt, ajo që duket se nisi me vendosjen e një gardhi me tela me gjemba në Zvërnec, ka filluar më shumë se dy vite më parë, kur New York Times njoftoi se vajza dhe dhëndri i Donald Trump do të investonin në zonën e Zvërnecit dhe Sazanit.

Teksa opozita heshte për investimet, me shpresën se lëvizja MAGA do t’i sillte në pushtet, Edi Rama, përmes disa deputetëve anonimë, përgatiti ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, duke i hapur rrugë ndërtimeve në këto zona, pa asnjë kriter. Synimi ishte i qartë: të krijohej shtegu për buldozerët që, dy vite më vonë, do të hynin në Zvërnec.

Lexo më shumë  Zvërnec: Nga llogoret e 87-ës te betoni i 2037-ës. Një rrëfim mes kujtesës dhe ironisë së kohës

Por ndërsa nuk guxonte të kritikonte hapur investimet e familjes Trump, Partia Demokratike bëri një hap duke e dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese, bashkë me dy organizata të mbrojtjes së mjedisit. Në korrik të vitit 2025, kur shumë prej këtyre përfaqësuesve të showbiz-it që sot janë të shokuara nga ajo që po i bëhet natyrës, shtriheshin në resorte “all inclusive”, Gjykata Kushtetuese, me argumente qesharake, e la ligjin në fuqi, duke u dhënë mundësi gangsterëve që tërheqin njerëzit zvarrë, të vendosin gardhin me tela me gjemba që sot po prodhon zemërim popullor.

Lexo më shumë  Pse protestat për Zvërnecin janë të ligjshme dhe të domosdoshme edhe sot. Ligji u anashkalua, natyra po rrethohet me beton

Indinjata juaj është plotësisht legjitime, por e ardhur me vonesë, sepse të gjitha këto kanë ndodhur para syve tuaj. Protesta duhej të kishte ndodhur në Kuvend, kur u miratua ligji; para Gjykatës Kushtetuese, kur kjo gjykatë shkeli Kushtetutën për të cilën ekziston dhe gjatë shëtitjeve të Ivankës në Zvërnec, kur, në vend që t’i zinit rrugën, shkruanit çfarë ushqimesh hëngri gjatë vizitës së saj në Shqipëri

Rruga Press

YouTube player