Opinion/Aktualitet

Serbia në prag të çarjes strategjike

Nga Dr. Sadri Ramabaja

Aleksandar Vuçiq po hyn në fazën më të rrezikshme të sundimit të tij politik. Për më shumë se një dekadë ai arriti të mbijetojë duke ndërtuar një model të sofistikuar ekuilibri: një Serbi që fliste për integrim evropian, ruante aleancën emocionale me Rusinë, përfitonte nga investimet kineze dhe negocionte pragmatikisht me SHBA-të. Ky model i lejoi Beogradit të shndërrohej në nyjen më të rëndësishme të balancimit gjeopolitik në Ballkan. Por pikërisht ky model tani po shembet.

Teksti i publikuar nga Vuçiq në Fox News javën që lamë pas, nuk ishte një opinion rutinë I natyrës vetëm diplomatike. Ishte një sinjal i hapur politik dhe ideologjik. Kur presidenti serb sulmon “establishmentin evropian”, ironizon konceptin e “autonomisë strategjike” të BE-së dhe afirmon filozofinë “Amerika e para” të Donald Trumpit, ai nuk po bën vetëm analizë të marrëdhënieve transatlantike. Ai po tenton ta ripozicionojë Serbinë si partner pragmatik të Uashingtonit në një moment kur rendi global po hyn në fazë të re polarizimi.

Në këtë kuptim, Serbia po përpiqet të shesë veten si “aset funksional” për SHBA-të: stabilitet politik, qeveri të centralizuar, kontroll institucional dhe gatishmëri për zbatim të shpejtë të marrëveshjeve strategjike. Gjuha e Vuçiqit në këtë opinion nuk ishte gjuhë e demokracisë liberale, por e efikasitetit gjeopolitik. Ai nuk i tha Amerikës: “Serbia ndan vlerat tuaja”, por: “Serbia mund t’ju shërbejë si partner i dobishëm”.

Mirëpo, ky ripozicionim ka prodhuar menjëherë pasoja të rënda në boshtin tradicional ruso-serb. Reagimi i Aleksandar Dugin-it, i cili e quajti Vuçiqin “politikan pa legjitimitet” dhe “prostitutë politike”, ishte brutal në formë, por jashtëzakonisht domethënës në përmbajtje. Në fakt, ajo deklaratë nuk ishte vetëm fyerje personale. Ishte akt delegjitimimi ideologjik.

Lexo më shumë  Mbështetja për Albin Kurtin është detyrë patriotike

Në logjikën e kampit euroaziatik rus, neutraliteti strategjik i Serbisë tolerohej për aq kohë sa Beogradi mbetej emocionalisht dhe politikisht brenda orbitës së Moskës. Momenti kur Vuçiq filloi të flasë gjuhën e sovranizmit trumpist dhe të kërkojë afrim më të drejtpërdrejtë me SHBA-të, ai u perceptua si lider që po e zhvendos Serbinë drejt një autonomie strategjike të pakontrollueshme nga Rusia. Dugin në fakt artikuloi publikisht atë që një pjesë e establishmentit rus duket se mendon: se Vuçiqi po largohet nga kontrata e heshtur historike me Moskën.

Në të njëjtën kohë, kriza nuk është vetëm e jashtme. Ajo po depërton në vetë strukturën e pushtetit serb. Audio-incizimet ku Vuçiq fyen ashpër figura të larta të Kishës Ortodokse Serbe, përfshirë Sava Janjiqin, zbulojnë një çarje serioze ndërmjet presidencës dhe institucionit që historikisht ka qenë burimi më i rëndësishëm i legjitimitetit simbolik të nacionalizmit serb.

Kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme. Në Serbi, Kisha nuk është vetëm institucion fetar. Ajo është pjesë e arkitekturës së identitetit shtetëror. Kur pushteti hyn në konflikt të hapur me Kishën, kjo nënkupton se regjimi ka filluar të humbë kohezionin e vet ideologjik.

Demonstratat e fundit në Beograd e treguan qartë këtë erozion. Përplasjet fizike, zjarrvëniet dhe atmosfera e radikalizuar tregojnë se Serbia po hyn në fazën e konsumimit të modelit të saj politik. Për vite të tëra, Vuçiqi ndërtoi stabilitet përmes kontrollit të mediave, centralizimit të pushtetit dhe monopolizimit të narrativës kombëtare. Por regjimet e tilla duken të forta deri në momentin kur fillojnë të humbin besimin shoqëror. Dhe kur kjo ndodh, kriza shpërthen njëkohësisht në disa fronte: institucional, ideologjik dhe social.

Lexo më shumë  Shqipëria drejt fashizmit si valvul shkarkimi për kontradiktat sociale

Problemi më i madh është se historia e Ballkanit tregon një model të njohur: krizat e brendshme në Serbi rrallë mbeten vetëm të brendshme. Në momentet kur pushteti në Beograd dobësohet, rritet tundimi për ta eksportuar krizën përmes nacionalizmit rajonal.

Tubimi i organizuar në Kumanovë nga struktura politike të afërta me linjën e Vuçiqit duhet parë pikërisht në këtë kontekst. Koncepti i “Botës Serbe” nuk është vetëm slogan kulturor. Ai është instrument politik për të ruajtur ndikimin serb në rajon dhe për të mobilizuar solidaritet etnik përtej kufijve të Serbisë. Në kushte të krizës së brendshme, kjo narrativë mund të përdoret si mekanizëm kompensues për konsolidim të pushtetit.

Kjo rrit automatikisht rrezikun që Kosova, Republika Srpska në Bosnjë apo tensionet ndëretnike në rajon, para së gjithash  në Maqedonin e Veriut dhe Mal të Zi, të shndërrohen sërish në instrumente të politikës së brendshme serbe. Jo domosdoshmërisht përmes konfliktit të drejtpërdrejtë ushtarak, por përmes krizave të kontrolluara, tensioneve hibride dhe mobilizimit identitar.

Prandaj, kriza aktuale në Serbi nuk është episod kalimtar. Ajo është krizë e modelit. Serbia po përballet me kufijtë e një sistemi që përpiqej të kombinonte autoritarizmin e brendshëm me fleksibilitetin e jashtëm në një botë që po bëhet gjithnjë e më pak tolerante ndaj ambiguitetit strategjik.

Vuçiqi ndodhet sot mes tri zjarreve: presionit perëndimor për ripozicionim, mosbesimit në rritje nga Moska dhe erozionit të legjitimitetit të brendshëm. Pikërisht ky kombinim e bën situatën aktuale potencialisht të rrezikshme jo vetëm për Serbinë, por për gjithë Ballkanin.

YouTube player