Opinion/Aktualitet

BDI-ja nuk ka mbijetuar për 22 vjet pushtet vetëm si parti politike, por si një rrjet interesash politike, ekonomike, mediatike dhe rajonale

Nga Bekim Qoku

Përgjigjja e pyetjes dhe habisë se si BDI arriti të qëndrojë 22 vite në pushtet, megjithëse u perceptua gjerësisht si një nga strukturat politike më të korruptuara në Ballkan, ndoshta po bëhet më e qartë pikërisht sot. Një strukturë që për vite me radhë u lidh me afera korruptive, nepotizëm të skajshëm, pasurim marramendës të familjeve të krerëve të BDI-së, me padrejtësi ndaj shqiptarëve, me raste tragjike, me kapjen e institucioneve dhe me shpërnguljen masive të mbi 300 mijë shqiptarëve nga vendi, nuk mund të mbijetonte vetëm përmes votës apo propagandës së zakonshme politike.

Përgjigjja qartësohet me faktin se mjafton të shohim sot se sa figura të vetëshpallura “të pavarura” nga shoqëria civile, sa media, ambasadorë, opinionistë e politikanë nga vendi, nga Shqipëria dhe Kosova kanë dalë, direkt apo tërthorazi, në mbrojtje të saj. Kur kësaj i shtohet edhe fakti që vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, doli publikisht në mbrojtje të Ali Ahmeti, atëherë kuptohet më qartë se kjo strukturë nuk ka mbijetuar vetëm si parti politike, por si një rrjet interesash politike, ekonomike, mediatike dhe rajonale.

Ballkani i Hapur ishte vetëm ajo që doli në shesh. Se çfarë ka pasur nën shesh, po nxjerr krye tani. Tani kur BDI ka nevojë për ndihmë. Tani ajo kërkon borxhin nën-sheshit që e ka ushqyer me vite.

Kjo shpjegon edhe paradoksin e madh se si është e mundur që një subjekt politik, i goditur vazhdimisht nga akuza për korrupsion, me figura në lista të zeza ndërkombëtare, me skandale të panumërta dhe me humbje dramatike të besimit qytetar, të vazhdojë të ketë kaq shumë mburoja publike. Sepse për shumë njerëz e qendra ndikimi, mbijetesa e saj nuk ka qenë çështje idealesh apo interesash kombëtare, por ruajtje e një ekuilibri pushteti dhe privilegjesh të ndërtuara për më shumë se dy dekada.

Rehatinë nën skllavëri, Jean-Paul Sartre e përshkroi me frazën e famshme: “Kurrë nuk kemi qenë më të lirë sesa nën pushtimin gjerman.” Edhe te ne, me sa duket, për shumë njerëz kurrë nuk kemi qenë më rehat sesa nën regjimin korruptiv, nepotik dhe shpesh kriminal të BDI-së për 22 vjet.

Rruga Press

YouTube player