Bota

Irani në qendër të raportit të rëndë – Dënimi me vdekje përdoret si mjet shtypjeje politike

Një raport i publikuar nga organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, ka ngritur alarmin për rritjen e ndjeshme të ekzekutimeve me vdekje në Iran dhe në disa vende të tjera të botës gjatë vitit 2025.

Sipas raportit, Irani ka ekzekutuar 2.159 persona gjatë këtij viti, duke shënuar numrin më të lartë të regjistruar në vend që nga viti 1981.

Amnesty International e cilëson këtë shifër si “tronditëse”, ndërsa vlerëson se autoritetet iraniane po përdorin gjithnjë e më shumë dënimin me vdekje si mjet kontrolli dhe shtypjeje politike.

Lexo më shumë  Bjellorusia mban manovra me armë bërthamore

Raporti lidh rritjen e ekzekutimeve me tensionet e brendshme në Iran, protestat antiqeveritare dhe konfliktin e vitit 2025 me Izraelin. Sipas organizatës, autoritetet iraniane kanë ashpërsuar masat ndaj kundërshtarëve dhe kanë kufizuar më tej hapësirën civile në vend.

Në total, Amnesty International raportoi se të paktën 2.707 persona janë ekzekutuar në mbarë botën gjatë vitit të kaluar. Në këtë shifër nuk përfshihet Kina, pasi të dhënat për ekzekutimet atje mbahen sekret nga shteti. Organizata beson se në Kinë kryhen mijëra ekzekutime çdo vit.

Lexo më shumë  Biserko: Vuçiq po nxit tensione me “botën serbe”, synon ndikim përmes destabilizimit të rajonit

Rritje të ekzekutimeve janë regjistruar edhe në Arabinë Saudite, Kuvajt, Egjipt, Jemen dhe Shtetet e Bashkuara. Arabia Saudite kreu të paktën 356 ekzekutime, ndërsa në SHBA u regjistruan 47 ekzekutime, numri më i lartë që nga viti 2009.

Amnesty International paralajmëron se përdorimi i dënimit me vdekje po shtohet në vende ku pushteti politik po bëhet më represiv dhe ku të drejtat e njeriut po kufizohen gjithnjë e më shumë.

Rruga Press

YouTube player