Skandal me ish-këshilltarin e Vuçiqit – policët dogjën trupin e një mafiozi, ndërsa shefi i tyre fshinte incizimet
Gjykata ka caktuar 30 ditë paraburgim për ish-shefin e policisë së Beogradit dhe ish-këshilltarin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Veselin Miliq, i arrestuar nën dyshimin për fshehje të tentim-vrasjes dhe pengim të zbardhjes së zhdukjes së një personi që mediat e lidhin me një klan kriminal të Beogradit.
Miliq dyshohet se, si drejtor i Policisë së Beogradit, ka kryer disa vepra penale për të fshehur një vrasje të rëndë në një restorant, pas së cilës u raportua zhdukja e Aleksandar Neshoviqit, i njohur me nofkën “Baja”.
Sipas informacioneve jozyrtare, Neshoviqi u vra me armë zjarri nga Sasha Vukoviq Boske, ndërsa ishte ulur në restorant së bashku me Miliqin.
Mediat serbe raportojnë se Miliq kishte tentuar t’i pajtonte dyshuarit, të cilët më herët kishin pasur konflikt, shkruan index.hr.
Pas vrasjes, dy policë nga sigurimi i Miliqit, së bashku me Vukoviqin, e nxorën trupin nga restoranti dhe e dogjën pranë autostradës afër Shimanovcit.
Ndërkohë, Miliq dhe një polic tjetër mbetën në restorant për të zhdukur gjurmët dhe për të fshirë pamjet nga kamerat e sigurisë.
Në lidhje me rastin janë arrestuar gjithsej nëntë persona, përfshirë tre policë. Opozita në Serbi ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Ivica Daçiq dhe drejtuesve të policisë, duke e cilësuar aferën si dëshmi të lidhjeve mes strukturave shtetërore dhe grupeve kriminale.
Rruga Press

