Vuçiqi i mërzitur që Mali i Zi është i pavarur: Më mirë të më pështyjnë se të shkoj atje
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi të mërkurën se ka marrë një ftesë për të marrë pjesë në “festimin madhështor” të 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi.
“Por unë nuk do të marr pjesë në një festim madhështor të shkëputjes nga Serbia ime. Do të më vinte turp dhe do të pështyja mbi veten dhe popullin tim. Le të festojnë çfarë të duan”, tha Vuçiqi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në kantierin e ndërtimit të ekspozitës Expo.
Vuçiqi shtoi se kishte parë se në Mal të Zi po organizohej një festë e madhe dhe se në të pritej të merrte pjesë edhe Ricky Martin.
“Por çfarë po festohet në të vërtetë? Po festohet shkëputja nga Serbia. Mund të them shumë për paaftësinë e udhëheqjes sonë të asaj kohe. Shoh se ata janë shumë të lumtur që u larguan nga serbët dhe Serbia; u uroj gjithë të mirat”, tha Vuçiqi.
Ai deklaroi gjithashtu se, “sado e çuditshme të duket, nuk është aspak befasuese që Evropa nuk këmbëngul për të drejtën e përdorimit të gjuhës serbe në Mal të Zi, ndërsa këmbëngul për gjithçka tjetër”.
“Le të vazhdojnë punën e tyre. U uroj gjithë lumturinë e botës, ndërsa Serbia duhet të vazhdojë përpara dhe të arrijë suksese të mëdha në zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se është i bindur që si serbët, ashtu edhe qytetarët e tjerë të Malit të Zi, “do ta ndiejnë gjithmonë Serbinë si një vend vëllazëror”.
Rruga Press

